KMDLNj: RTK të garantojë veprimin sindikalist

Lajme

KMDLNj: RTK të garantojë veprimin sindikalist

Më: 1 prill 2015 Në ora: 13:42

​Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut me anë të një komunikate njoftoi sot se i janë drejtuar të punësuar në Radio-Televizionin e Kosovës, të cilët kërkojnë mbrojtje për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut që u bëhen në vendin e punës, siç janë vërejtjet e shqiptuara, degradimi dhe mosavancimi në pozita, e deri te vendimi për përjashtim nga puna.

KMDLNj, pasi i ka shqyrtuar këto raste ka kontaktuar drejtuesit e RTK-së prej të cilëve ka marrë sqarime për rastet e adresuara. Gjithashtu, KMDLNj ka takuar edhe kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës, i cili ka trajtuar ato raste nëse janë në përputhje apo në kundërshtim me Ligjin e Punës. Për RTK-në është paraparë edhe një debat parlamentar në Kuvendin e Kosovës.

KMDLNj, thuhet në komunikatë, duke mos dashur të paragjykojë rastin për RTK-në, ka kërkuar nga drejtuesit e RTK-së që në asnjë mënyrë të mos e pengojnë veprimin sindikalist brenda këtij mediumi publik, si e drejtë njerëzore për realizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të punësuarve dhe e cila u garantohet me të gjitha dokumentet ndërkombëtare dhe vendore për të drejtat e organizimit dhe veprimit sindikalist, duke filluar nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut si dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst KMDLNj është kundër masave që eventualisht mund të ndërmerren për aktivitet sindikalist, ndërsa për aktivitete tjera që nuk janë në përputhje me aktivitetin sindikalist është procedurë e cila rregullohet në përputhje me aktet e brendshme të RTK-së dhe me Ligjin e Punës.

KMDLNj kërkon të hetohen dyshimet e ngritura për mostransparencë financiare, nepotizëm, punësime në baza partiake dhe punësim të kundërligjshëm.

Gjithashtu, KMDLNj kërkon që në asnjë mënyrë të mos lejohet ndërhyrja në skemën programore e cila mund t’i shërbejë qëllimeve personale, partiake, klanore, politike apo ndonjë qëllimi tjetër, e që ishte e theksuar në kohën para ngërçit politik, sidomos gjatë këtij ngërçi dhe, edhe pas formimit të institucioneve të Kosovës.

Për ta ruajtur pavarësinë programore, RTK do të duhej të sigurojë financim afatgjatë sikur që e kanë mediumet publike në vendet e rajonit. Në këtë kontekst KMDLNj propozon të merren praktikat e mira të vendeve të rajonit , që nga politika editoriale e deri te financimi e që mund të gjejnë zbatim në RTK. Deri sa RTK nuk do të ketë siguri financiare që do të garantonte një pavarësi programore atëherë gjithmonë do të merremi me pasojat sikur që po bëjmë tani, thuhet në komunikatën e Shërbimit për informim të KMDLNj-së./kp/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat