Doli: Asociacioni i Komunave serbe me status të një organizate jo-qeveritare

Lajme

Doli: Asociacioni i Komunave serbe me status të një organizate jo-qeveritare

Më: 1 prill 2015 Në ora: 13:18

Çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe është veçse e zgjidhur sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, thotë Dren Doli nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike.

Doli për gazetën “Bota sot” thotë se, në këtë kuptim, është plotësisht e drejtë e komunave që të themelojnë organizata jo-qeveritare të cilat do të shërbejnë si forume për diskutimin e problemeve të tyre të përbashkëta dhe nevojave të tyre në përmirësimin e nivelit të qeverisjes.

“Rrjedhimisht, nuk besoj që Qeveria e Kosovës duhet të parashikoj ndonjë status tjetër për Asociacionin e Komunave Serbe përveç statusin e një organizatë jo-qeveritare. Andaj dhe nëse ky mbetet qëndrimi i Qeverisë së Kosovës, themelimi një organizate jo-qeveritare të quajtur Asociacioni të Komunave Shqiptare në Preshevë nuk është ndonjë kushtëzim i nevojshëm dhe aq më pak të shikohet si ndonjë ndihmë që pala Serbe u ofron shqiptarëve që jetojnë në territorin e Serbisë”, shprehet Doli.

Ai thotë se, nëse Qeveria e Kosovës mendon që t’i ofroj Asociacionit të Komunave Serbe statusin e një organi shtetëror i cili mban një numër të kompetencave ekzekutive në raport me shumicë komunat serbe, atëherë kjo përfundimisht shkatërron garancionet kushtetuese të vendosura për vetëqeverisjen lokale.

“Kjo e vë Kosovën në kundërshtim me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, dhe po aq, pakëson kontrollin qytetarë ndaj organeve komunale duke përjashtuar rolin përfaqësues të Kryetarëve të Komunave dhe Asambleve Komunale”, thotë Dren Doli për gazetën "Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat