Preteni: Korrupsioni në Kosovë po hetohet pak dhe nuk gjykohet fare

Lajme

Preteni: Korrupsioni në Kosovë po hetohet pak dhe nuk gjykohet fare

Më: 1 prill 2015 Në ora: 13:07

Luftimi i korrupsionit mbetët akoma një nga sfidat kryesore për të gjitha institucionet e vendit, por ai nuk po luftohet sa duhet dhe këtu kërkohet një progres më i madh, e po ashtu edhe dënime më të ashpra. Vetëm gjatë vitit të kaluar Agjencia Kundër Korrupsionit ka trajtuar gjithsej 304 raste për vepra të ndryshme penale, prej të cilave në 131 raste ka pasur bazë të shkeljes ligjore dhe ka ushtruar kallëzime penale kundër 163 personave.

Kështu bëri me dije sot i pari i Agjencisë, Hasan Preteni, i cili në një konferencë për media prezantoi raportin përmbledhës të punës së AKK-së për vitin 2014. Ai shprehu pakënaqësi tek institucionet e sundimit të ligjit, duke thënë se ato po i neglizhojnë rastet dhe kësisoj nuk është arritur asnjë progres në këtë fushë, përkundër asaj që tashmë mosdeklarimi dhe deklarimi i rrejshëm i pasurisë është bërë vepër penale.

“ Gjyqtarët dhe prokurorët vazhdojnë t’i neglizhojnë edhe më tutje shkeljet e tilla të konstatuara me këtë. E kanë atë progres, atë mundësi sepse tani prokurorët në bazë të kallëzimeve penale tona nuk kanë nevojë të kërkojnë informacione shtesë nga policia, por të gjitha provat i siguron agjencia”, tha ai.

Preteni ngriti shqetësimin e tij edhe tek shqiptimi i dënimeve, pasi ato janë shumë të buta dhe minore, përkundër asaj që ligji e parasheh se për mosdeklarim të pasurisë dënimi është me gjobë dhe burgim deri 3 vjet, ndërsa për deklarim të rrejshëm duhet të shqiptohet dënim me gjobë dhe burgim në kohëzgjatje deri 5 vjet, por gjykatat tona ende po shqiptojnë dënime shumë të buta. Për ta argumentuar këtë, Preteni tregoi se në 12 aktgjykimet për veprat penale të mosdeklarimit apo deklarimit të rremë të pasurisë, dënimi minimal ka qenë 200 euro gjobë ndërsa më i larti 1000 euro, përcjellë dhe me dënime me kusht nga 2 deri në 6 muaj. Gjithashtu, sipas tij, po mungojnë shifrat në pjesën e luftimi të korrupsionit.

“ Të them është iluzore të kërkohet që për mosdeklarim ose deklarim të rrejshëm dikush të shkon në burg, sepse gjyqtarët dhe prokurorët tanë nuk dërgojnë në burg askënd as për veprime korruptive, e jo më për vepra të tilla”, theksoi ai.

Ai tha se ka rritje edhe të rasteve të trajtuara tek parandalimi i konfliktit të interesit, ku kanë qenë gjithsej 264 të tilla.

“1.509, ose çdo i treti zyrtar i lartë, ka më shumë vende të punës, 1.155 kanë nga dy, nga tri detyra i kanë 312, katër 31, pesë funksione 10, gjashtë funksione 1 zyrtar”, tha ai.

Preteni foli edhe për progresin e shënuar vitin e kaluar, për të cilin tha se është kryesisht tek parandalimi i korrupsionit, pastaj në legjislacion, tek deklarimi i pasurisë dhe parandalimi i konfliktit të interesit, ndërsa sipas tij pjesa e luftimit të korrupsionit mbetët akoma shumë për të dëshiruar pasi, siç tha Preteni, korrupsioni në Kosovë po vazhdon të flitet dhe diskutohet në masë të madhe, kurse po hetohet pak dhe nuk po gjykohet fare.

Ai përmendi edhe veprat më të shpeshta penale, siç janë keqpërdorimi i detyrës zyrtare ose autoritetit zyrtar, pastaj ushtrimi i ndikimit, mashtrimi në detyrë, marrja e ryshfetit, mosraportimi i pasurisë apo raportimi i rremë, ndërsa fusha e cila në vazhdimësi po gjeron të këqija është ajo e prokurimit, ku 99 % e rasteve të trajtuara tek keqpërdorimi i detyrës zyrtare kanë të bëjnë me fushën që e rregullon prokurimin. Preteni tha se nga rastet që kanë pranuar në AKK, dëmi i pretenduar ka qenë 500 euro, por kanë pasur edhe të tilla kur vlera e dëmit ka qenë 1 milion e 276 mijë euro

Ndryshe, që nga funksionalizimi i kësaj Agjencie në vitin 2007, e njëjta ka ushtruar gjithsej 551 kallëzime penale kundër 1208 personave, ku në mesin e tyre ka zyrtarë më të lartë të institucioneve qendrore, pastaj të ndërmarrjeve publike, prokurorë e gjyqtarë si dhe zyrtarë të pushtetit lokal, por edhe kryetarë komunash, njoftoi Preteni./kp/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat