”Lufthansa” anulon festimet e 60-vjetorit pas rrëzimit të A320-ës

Lajme

”Lufthansa” anulon festimet e 60-vjetorit pas rrëzimit të A320-ës

Më: 31 mars 2015 Në ora: 20:48

Kompania lider e transportit ajror evropian ”Lufthansa” njoftoi sot anulimin e festimeve të parashikuara për
60-vjetorin e krijimit për shkak të përplasjes të një avioni të filialit të saj, ”Germanwings”, si pasojë e së cilës humbën jetën 150 persona.

”Në nderim të viktimave të rrëzimit të fluturimit 4U 9525, ‘Lufthansa’ anulon festimet e parashikuara për 60-vjetorin e krijimit të kompanisë”, tha grupi gjerman në një komunikim të shkurtër dhe theksoi se do të ritransmetonte për punonjësit e tij ceremoninë e zisë kombëtare në kujtim të 150 viktimave, që do të zhvillohet në katedralen e Këlnit, ku do të marrë pjesë edhe kancelaria gjermane, Angela Merkel.

”Lufthansa” bëri të ditur dje se ajo po shqyrtonte mundësinë për të zhvilluar ose jo festimet që shënonin krijimin e grupit pas Luftës së Dytë Botërore.

Një ditë pas përplasjes të avionit A320 të kompanisë ”Germanwings” në Alpet Franceze, shefi i grupit Carsten Spohr tha se bëhej fjalë padyshim për ditën më të vështirë në historinë e ”Lufthansa”-s.

Kjo ndodhi para se të nxirreshin informacione mbi problemet psikologjike apo trajtimit për tentativat për vetëvrasje në të shkuarën, nga ana e bashkëpilotit, Andreas Lubitz.

Dyshohet se ai ka përfituar nga mungesa e kapitenit në bord që të mbyllej i vetëm në kabinë dhe të drejtonte avionin drejt masivit malor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat