“Nuk ka drejtësi për viktimat e krimeve të rënda”

Lajme

“Nuk ka drejtësi për viktimat e krimeve të rënda”

Më: 31 mars 2015 Në ora: 14:13

Drejtësia që vonohet është titulli i raportit për vitin 2014 që lidhet mbi gjykimet e krimeve të luftës dhe veprave penale të motivuara etnikisht dhe politikisht në Kosovë, ku thuhet se nga përfundimi i luftës deri tash janë ngritur 39 aktakuza për krime, ku përfshihen 9 shqiptar, 37 serb dhe 2 të kombësive tjera.

Ky raport është hartuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, dhe i njëjti u prezantua sot në Prishtinë në një tryezë të rrumbullakët.

Koordinatorja e këtij projekti, Anka Kurteshi - Hajdari tha se deri tek titulli kanë ardhur pasi në Kosovë thuajse nuk ka fare drejtësi për viktimat e krimeve të rënda, dhe për të nxjerr një konstatim të tillë, ajo tha se nuk duhet qenë ekspert i madh, por kjo rrjedh vetvetiu nga monitorimi i tyre që i kanë bërë nëpër proceset gjyqësore për veprat më të rënda.

Sipas të dhënave të bëra, ajo nënvizoi se nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000, në Kosovë janë vrarë dhe zhdukur 13 mijë e 535 persona.

Në anën tjetër, ajo tha se në bazë të evidencës së tyre që nga 29 nëntori i vitit 1999, kur ishte ngritur aktakuza e parë për krime lufte kundër popullsisë civile e deri kah fundi i vitit 2014 në Kosovë janë 39 aktakuza për këto krime, dhe të cilat janë ngritur ndaj 98 personave nga ta 9 persona janë shqiptar, 37 serb dhe 2 të kombësive tjera.

“ Që përshtypjet të jetë edhe më të fuqishme për pafuqinë e sistemit të pushtetit të ligjit që ndjek kriminelët e luftës flet edhe të dhënat që deri më tash vetëm 20 persona me vendimin e plotfuqishëm janë dënuar për krime lufte në Kosovë, prej tyre 17 shqiptar dhe 3 serb dhe në fund vlen të përmendet se aktualisht në faza të ndryshme të procedurës para gjykatës gjenden 10 lëndë për krime lufte me 37 persona të akuzuar 32 shqiptar dhe 5 serb”, theksoi ajo.

Ajo tha se të dhënat tregojnë se drejtësia ende nuk ka trokitur në duart e viktimave. Sipas saj, familjarët e dhjetëra- mijëra të vrarëve dhe viktimave të shumta të tjera kanë të drejt, siç kanë të drejt edhe gjithë qytetarët tjerë të nxjerrin përfundimin se drejtësia për viktimat është duke vonuar që 16 vite me radhë.

“Dhe nga kjo perspektivë është shumë vështirë të parashikohet me saktësi se ajo a do të arrihet ndonjëherë sepse koha po kalon kujtimet zbehen faktet dhe evidencat zhdukën ndërsa dëshmitarët nuk kanë guxim të flasin publikisht për krime”, tha ajo.

Ajo tha se përgjegjësia për këtë drejtësi të vonuar është si e ndërkombëtarëve ashtu edhe e vendorëve.

Ndërkaq, Lirak Celaj, zëvendësministër i Drejtësisë tha se gjykimet dhe hetimet që i adreson ky raport janë të një natyre mjaft të ndjeshme, andaj është me rëndësi të theksohet se aq sa janë këto raste të ndjeshme, aq edhe kërkojnë përkushtim për trajtimin e tyre. Ai bëri me dije se MD-ja do të vazhdojë drejt përmirësimit të sistemit gjyqësor në mënyrë që zgjidhja e këtyre rasteve të ndjeshme të mos mbetet peng i ligjeve apo kushteve të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“ Të gjitha rastet e krimeve të luftës fillimisht janë trajtuar nga UNMIK-u, pastaj i janë transferuar EULEX-it, është me rëndësi që suksesi apo përgjegjësia për trajtimin e ngecjeve eventuale në trajtimin e këtyre rasteve i takon drejtësisë ndërkombëtare po aq sa i takon edhe institucioneve vendore” tha ai.

Kurse, zëvendës shefja e misionit të Ambasadës Britanike në Kosovë, Louise Taylor, tha se pavarësisht etnicitetit dhe përkatësisë etnike duhet që të gjitha rastet e pazgjidhura të personave të zhdukur, të zgjidhen por edhe të ndiqen të gjitha krimet e lidhura me konfliktin e fundit të Kosovë, pasi sipas saj, mos marrja me këtë çështje do të pengoj zhvillimin shumë etnik të Kosovës. Ajo nënvizoi se përmes mbështetjes që i kanë dhënë këtij fondi, kanë kontribuar në krijimin e një klime të favorshme për pajtim dhe paqe të qëndrueshme në Kosovë duke ndërtuar, kësisoj institucione demokratike e legjitime për t’u mundësuar qasjen në drejtësi viktimave të konfliktit.

Ndërsa, Jouni Lehtimaki, ekspert legjislativ nga zyra e përfaqësuesit special të BE-së, tha se raporti tregon se nuk janë të gjitha rezultatet pozitive pasi shumica e dëshmitarëve kanë ndryshuar deklaratat krahasuar me ato të dhëna më herët në polici apo në prokurori, pasi siç tha, dëshmitarët thonë se nuk e kanë ditur se çka kanë shkruar në deklaratat e tyre, e të tjerë thonë se ato nuk janë regjistruar në gjuhën e tyre amtare.

Ndërkaq, kryeprokurorja e PSRK-së, Sevdije Morina tha se deri tani nga regjistri i prokurorisë speciale nga 351 raste të kësaj natyre vetëm 17 janë në duart e prokurorëve vendor. Ajo tha se këtu është e nevojshme të potencohet se prokuroria speciale ballafaqohet me mungesë të kapaciteteve njerëzore dhe ka vende të paplotësuara të cilat duhet të plotësohen.

“ Edhe ato rate që i kane në duar prokurorët vendor dhe kërkojnë të lëshojnë autorizime, përgjigja kryesisht e hetuesve nga policia është se nuk kemi kapacitete se janë raste tjera me prioritet dhe nuk mund tani për tani të hetohet rasti i caktuar. Edhe këto zvarritje, dhe ky nivel i kapaciteteve si në prokuroria ashtu edhe në polici do të ndikojë në ndjekjen e këtyre veprave penale, krimeve të luftës dhe të dëmtuarit do vazhdojnë t’i mos realizojnë të drejtat e tyre për të pas një gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme”, pohoi Morina.

Po ashtu, ajo tha se janë mbrapa me themelimin e një departamenti të posaçëm për krime lufte, pasi shumë shpejt të gjitha këto raste duhet të barten tek prokurorët vendor./KP/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat