Pas gati katër vitesh paraburgim, shpallet i pafajshëm Agron Destani!

Lajme

Pas gati katër vitesh paraburgim, shpallet i pafajshëm Agron Destani!

Më: 31 mars 2015 Në ora: 12:59

Prokurori është tërhequr nga aktakuza në rastin e Agron Destanit, të akuzuarit për grabitje, pasi Destani ka qëndruar 3 vjet e nëntë muaj në paraburgim.

Ish-Prokuroria e Qarkut në Prishtinë bashkë me Destanin akuzonte edhe Mërgim Limanin, Valmir Mehmetin dhe Muhamet Rashitin për disa grabitje.

Më 31 mars 2014, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me 6 vjet e tetë muaj burg Valmir Mehmetin, me 6 vjet Muhamet Rashitin, 4 vjet Mërgim Limanin dhe 3 vjet e nëntë muaj Agron Destanin.

Mbrojtja e të dënuarve ishte ankuar në Gjykatën e Apelit, e cila vërtetoi dënimet e tre të parëve, ndërsa ktheu në rigjykim rastin e Destanit.

Rigjykimi filloi në janar të këtij viti, ndërsa seanca e Destanit u shty pasi munguan të dëmtuarit Sami Rukovci e Martin Çuni.

Për Çunin gjykatës iu kthye ftesa me arsyetimin se adresa e tij është jo e plotë, ndërsa për Sami Rukovcin përfaqësues të Stacionit Policor Veri njoftoi gjykatën se ky dëshmitar sipas babait të tij ndodhej në Norvegji.

Prokurori në seancë propozoi që të lexohen deklaratat e mëparshme të dëshmitarëve, kurse me këtë gjë u pajtua edhe avokati i Destanit.

Në deklaratat e dëshmitarëve askund nuk përmendej emri i të akuzuarit, prandaj prokurori në fjalën përfundimtare hoqi dorë nga aktakuza.

Gjykata pritet ta hedhë poshtë aktakuzën.

Vehbi Ismajli, avokati i Agron Destanit tha se klienit i i tij e ka vuajtur në paraburgim dënimin e mëparshëm, duke qëndruar 3 vjet e nëntë muaj me këtë masë sigurie.

“Sipas një aktgjykim të po kësaj gjykate i mbrojturi im Agron Destani ka qenë i dënuar, ka ndejtë në paraburgim dhe është gjykuar me burg prej 3 vjetësh e 9 muaj e 1 ditë. I mbrojturi im ka ndejtë 3 vjet e 9 muaj e 1 ditë në paraburgim dhe është lirua të shkojë në shtëpi ju ka ndërpre paraburgimi”, sqaroi avokati.

Ismajli tregoi edhe si shkoi rigjykimi.

“Sipas ankesës sime lënda është kthyer në rigjykim dhe pas dy- tri seancave kryesore të mbajtura, në shqyrtim erdhi radha e seancës përfundimtare. Në po këtë seancë prokurori i çështjes u bind në bazë të leximit të provave se i akuzuari i cili ka ndejtë në paraburgim nuk është fajtor dhe me asnjë provë nuk është vërtetuar se i njëjti ka qenë fajtor”, tha Ismajli.

Avokati u shpreh i lumtur që drejtësia triumfoi.

“Pritet nga Gjykata Themelore në Prishtinë të bie një aktgjykim në bazë të kërkesës së prokurorit- një aktgjykim lirues. Çka do me thënë megjithatë në Kosovë ka drejtësi dhe drejtësia doli në shesh edhe pas 5 vjetëve se sot janë rrumbullakuar 5 vjet që i mbrojturi im ka qenë i akuzuar dhe sorollatet nëpër burgje, nëpër gjykata, mirëpo sot është shpallur i pafajshëm,” deklaroi avokati. /kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat