Haradinaj-Komisionit për verifikim: Do t’ju zvarrisim nëpër shesh

Lajme

Haradinaj-Komisionit për verifikim: Do t’ju zvarrisim nëpër shesh

Më: 30 mars 2015 Në ora: 18:46

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Daut Haradinaj, ka paralajmëruar Komisionin për verifikimin e veteranëve të luftës së UÇK-së, se do t’i zvarrisin në shesh për mos-nxjerrjen e listave përfundimtare.
Ish komandanti i UÇK-së ka thënë se nuk do t’i nënshkruajë këto lista, pasi që jashtë tyre kanë mbetur një numër i madh i bashkëluftëtarëve të tij.
“Anëtarët e komisionit për verifikimin e ish ushtarëve të UÇK-së, veteranët që do të jenë edhe më shumë, do t’i zvarrisin në shesh. Unë nuk do t’i nënshkruaj këto lista pa u fut krejt ushtarët e mi. Të gjithë veteranët e luftës kanë pasur kartela”,ka thënë Haradinaj në emisionin “Info Magazinë” në Klan Kosova.
Haradinaj ka thënë se "Rrafshi i Dukagjinit ka pasur më tepër ushtarë se Zona e Drenicës dhe se këtë e dinë edhe Sami Lushtaku dhe gjithë komandantët e UÇK-së. Ndërsa po del se Dukagjini ka më pak ushtarë se disa zona të tjera".
Ndërkaq, ish kryetari i veteranëve të luftës, Muharrem Xhemajli, ka akuzuar komandantët për mos publikimin e listave përfundimtare dhe se veteranët e luftës duhet të ‘protestojnë në Drenicë dhe Dukagjin dhe jo para Qeverisë së Kosovës’
Ish komandanti i brigadës 131 të Zonës së Dukagjinit, Daut Haradinaj më pas ka thënë se publikimi i listave të veteranëve në këtë zonë është në përfundim e sipër.
Ai ka theksuar se për vonesat që janë bërë këto 2 javët e fundit përgjegjës është ai, mirëpo jo edhe për vonesat të cilat janë tash e 16 muaj.
“Unë e di më mirë se të tjerët se si qëndron situata në Dukagjin. Jemi në fund të përfundimit të listave. Unë jam përgjegjës për këto 2 javë vonesa e jo për 16 muaj’, ka thënë Haradinaj, duke shtuar më pas se është i sigurt që brenda këtyre listave mund të ketë emra që nuk e meritojnë të jenë aty.
Ndërkaq, Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi ka thënë se për të gjitha këto vonesa problemi është tek institucionet, tek Komisioni Qeveritar dhe Qeveria.
Ndryshe sot veteranët e UÇK-së kanë protestuar para ndërtesës së qeverisë duke kërkuar të drejtat e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat