​Vazhdon rrënimi i objekteve të vjetra

Lajme

​Vazhdon rrënimi i objekteve të vjetra

Më: 30 mars 2015 Në ora: 18:02

Në qytetin e Prishtinës janë pikërisht trotuaret ato pjesë të hapësirës publike, të cilat, me pengesat që i përmbajnë, e vështirësojnë lëvizjen dhe jo rrallë e rrezikojnë jetën e këmbësorit.

Falë vullnetit dhe gatishmërisë së banorëve të lagjes “Ismet Krasniqi”, së shpejti kjo lagje do të bëhet me trotuare që janë një nga komponentet themelore të lëvizjes për qytetarë në hapësirat urbane.

Kështu sipas Komunës së Prishtinës.

Komuna njofton se në kuadër të evitimit të rreziqeve për qytetarët Drejtoria e Inspekcionit e Komunës së Prishtinës ka intervenuar në një mur i cili ka qenë para shembjes dhe paraqiste rrezik serioz për banorët e kësaj lagjeje.

Pas këtij intervenimi, shumë pronarë janë lajmëruar që të ofrojnë pronën private me qëllim të lirimit të hapësirave për trotuare me qëllim të shtimit të sigurisë në lagje.

Njëkohësisht, Drejtoria e Inspekcionit e Komunës së Prishtinës është duke vazhduar edhe me aksionin për rrënimin e objekteve që paraqesin shkallë të lartë të rrezikut për qytetarë. Deri më tani janë rrënuar 26 objekte në lagje të ndryshme me qëllim të evitimit të rrezikut për sigurinë dhe shëndetin e banorëve të Komunës së Prishtinës.

Në të gjitha këto raste në të cilat ka intervenuar Drejtoria e Inspekcionit është konstatuar se banorët e Komunës së Prishtinës kanë qenë të rrezikuar për shkaqe të ndryshme, qoftë shkaku i rrezikut të shembjes së objekteve të vjetra , shpërndarjes së epidemive si pasojë e papastërtisë apo edhe ngaqë disa nga objektet kanë paraqitur rrezik potencial duke shërbyer si strehë për keqbërës të ndryshëm apo edhe janë shndërruar në vende të grumbullimit të qenve endacak.

Me këtë rast, janë ekzekutuar 26 aktvendime për rrënim të objekteve. Pjesa më e madhe e aksioneve është zhvilluar në lagjet “Tophane”, “Kodra e Trimave” dhe në “Qendër”.

Njoftojmë opinionin se aksione të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, ndërsa aktualisht janë duke u evidentuar të gjitha ato objekte që paraqesin shkallë të lartë të rrezikut.

Drejtoria e Inspekcionit, ashtu siç e parasheh edhe ligji i ndërtimit, ka informuar dhe në vazhdimësi i informon të gjithë ata pronarë objekti i të cilëve është subjekt i trajtimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat