Zvicra ndihmon arsimin parafillor

Lajme

Zvicra ndihmon arsimin parafillor

Më: 30 mars 2015 Në ora: 15:27

​Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka nënshkruar sot marrëveshje mirëkuptimi me përfaqësuesit e Caritas-it Zviceran, me të cilën mbështetet Strategjia Kombëtare për Edukimin Parashkollor.

Marrëveshja ka për qëllim promovimin e një edukimi gjithëpërfshirës parashkollor në Kosovë, në përputhje me standardet e zhvillimit dhe të mësuarit në fëmijërinë e hershme dhe lehtësimin e integrimit të fëmijëve në sistemin e edukimit parafillor në Kosovë.

Ministri Bajrami, me këtë rast theksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të investojë në edukimin parafillor, sepse investimi në zhvillimin e fëmijërisë së hershme është investim në të ardhmen e një shteti.

Bajrami vlerësoi se me nënshkrimin e kësaj Marrëveshje me Caritas-in Zviceran, do të investohet në ngritjen e kapaciteteve dhe standardeve të ofrimit të arsimit parafillor.

“Të investosh në arsimin parafillor është gjëja më e mirë dhe më humane që mund të bësh. Ky projekt do të mundësojë që të pajisen 150 institucione të arsimit parafillor me pajisje moderne, por edhe me edukatorë dhe mësues të përgatitur për moshën e fëmijëve, sepse bëhet fjalë për shkollim në fëmijëri të hershme”, tha ministri Bajrami, ndërsa theksoi se të investosh në fëmijë të vegjël, do të thotë të investosh në të ardhmen e një shteti.

Krystyna Marty Lang, ambasadore e Zvicrës në Kosovë tha se projekti i Caritas-it Zviceran është në harmoni me Strategjinë Kombëtare të Kosovës për Edukimin Parashkollor që është i sponsorizuar nga MAShT dhe nënshkrimi i sotëm konfirmon mbështetjen e palëkundur të Zvicrës për Kosovën.

Ndërsa, shefi i misionit të Caritas- it Zviceran, Kreshnik Basha tha se përmes këtij projekti, Caritas-i do të ofrojë mbështetje për arsimim parashkollor në tërë Kosovën./KP/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat