Lëvizje pozitive nga pesëshja e BE-së

Lajme

Lëvizje pozitive nga pesëshja e BE-së

Më: 30 mars 2015 Në ora: 12:28

Njohësit e integrimeve evropiane dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës mendojnë se pesë vendet anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e kanë zbutur qëndrimin.

Njohësit e integrimeve evropiane dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës mendojnë se pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e kanë zbutur qëndrimin e tyre ndaj shtetit më të ri në Evropë.

Profesor i së Drejtës Ndërkombëtare, Blerim Reka, dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, kanë vlerësuar se këto vende, me gjithë rezervat e tyre, e kanë mbështetur Kosovën në procesin e integrimit.

Ish-ambasadori i Maqedonisë në Bruksel, Blerim Reka, ka deklaruar për “Epokën e re” se gjashtë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës vërehen lëvizje të theksuar në dy institucione kryesore të BE-së. “Me aq sa unë i shoh zhvillimet lidhur me këtë çështje, duket se një zbutje e qëndrimit të Unionit Evropian vërehet tek dy institucionet e tij: tek Parlamenti Evropian dhe tek Komisioni Evropian. I pari tash e pesë vjet voton rezolutën me të cilën kërkohet njohja e Kosovës edhe nga pesë shtetet që e kundërshtojnë këtë. Ndërkaq, i dyti, duke fleksibilizuar disa procedura paraanëtarësuese që vlejnë për shtetet e pranuara nga UE-ja. Mirëpo, edhe më tutje mbetet vendimtare qasja neutrale ndaj statusit të Kosovës nga Këshilli i UE-së, shkaku i mosarritjes ende të konsensusit të të gjitha 28 shteteve anëtare”, ka thënë Reka. Ai ka treguar se tri nga këto vende kanë lëvizur pozitivisht, kurse Spanja dhe Qipro ende kanë qëndrim rigjid sa i përket pavarësisë së Kosovës. Sipas tij, kjo e fundit, për shkak të ndikimi rus, vështirë se për një kohë do ta ndryshojë këtë qëndrim. “Megjithatë, disa indice udhëzojnë se së paku në tri nga këto pesë shtete, ka lëvizje pozitive, që nuk mund të thuhet ende për dy shtetet që vazhdojnë ta kundërshtojnë njohjen e Republikës së Kosovës: Spanja dhe Qipro. Derisa e para mund të evoluojë në qëndrimin e saj, e dyta vështirë se për një kohë mund ta ndryshojë qëndrimin e saj mohues ndaj njohjes së Republikës së Kosovës. Sidomos, jo Qipro, stabiliteti financiar i së cilës mbahet nga depozitat ruse dhe e cila, në fillim të këtij muaji, nënshkroi marrëveshje strategjike për lejimin e shfrytëzimit të porteve të saj në Mesdhe për flotën ruse”, është shprehur Reka.

Ndërsa ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ka deklaruar se është për keqardhje mosnjohja e Kosovës nga këto vende. “Për keqardhje është fakti që pesë vende të BE-së ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës për shkaqe të tyre të brendshme politike. Jam i bindur se këtë duhet ta bëjnë sa më parë. Megjithatë, prej vitit 2003 këto vende janë treguar tolerante dhe gjithnjë i kanë mbështetur proceset e afrimit të Kosovës me BE-në”, ka deklaruar Çollaku për “Deutsche Welle”-n.

Megjithatë, ai është falënderues që këto vende nuk kanë penguar proceset integruese të Kosovës. Ai shpreson se këto vende nuk do ta pengojnë as nënshkrimin e MSA-së dhe procesin e liberalizmit të vizave. “Me gjithë rezervat e tyre në disa çështje, këto vende e kanë mbështetur edhe procesin e stabilizim-asociimit me Kosovën dhe shpresoj se kjo do të rezultojë me nënshkrimin e kësaj marrëveshje gjatë pranverës, apo eventualisht në fillim të verës së këtij viti.

Kjo është marrëveshja e parë dhe më e rëndësishme kontraktuale e Kosovës me BE-në si vend aspirant për anëtarësim në BE. Kjo pastaj do t’i lehtësojë dhe mundësojë të gjitha proceset e mëtutjeshme dhe do të mundësojë që Kosova të ketë qasje në fondet e BE-së. As për liberalizimin e vizave nuk pres që këto vende të paraqesin ndonjë problem”, ka deklaruar Çollaku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat