Presidenti rumun me origjine gjermane Iohannis vendos thekse të reja

Lajme

Presidenti rumun me origjine gjermane Iohannis vendos thekse të reja

Më: 30 mars 2015 Në ora: 12:02

Tre të katërtat e qytetarëve rumunë do të votonin dot për Klaus Iohannis, shumë më tepër se 55 për qind, që votuan në nëntor 2014 për kandidatin e aleancës së qendrës së djathtë në zgjedhjet presidenciale. Ky është rezultati i sondazheve aktuale. Në facebook atë e ndjekin 1.5 milionë njerëz, më shumë se çdo politikan tjetër evropian.
Kur pjesëtari i pakicës gjermane të Transilvanisë u zgjodh president i Rumanisë, shpresat ishin shumë të mëdha që nga fillimi. Disa panë tek ai "shpresën e fundit të Rumanisë, për t'u bërë një vend normal", siç shkruante gazeta e Bukureshtit "Adevarul".
Me të vërtetë në Rumani kanë ndryshuar disa gjëra që prej ardhjes në detyrë të Klaus Iohannis më 21 dhjetor 2014. Toni i ndyrë i komunikimit në politikën rumune ka ndryshuar, për shembull. Për herë të parë prej vitesh të gjitha partitë parlamentare zhvillojnë përsëri një dialog shumë më normal, të civilizuar me presidentin, edhe në komunikimin me njeri-tjetrin politikanët janë tani më të matur. Mediat rumune e quajnë këtë me vlerësim "efekti Ioannis".

Optimizëm tek minoritetet

Këtu bën pjesë edhe fakti se Ioannis në vizitat e tij jashtë vendi u kthen bashkëatdhetarëve të tij dinjitetin, si për shembull, kur ai gjen në Berlin përkrah kancelares gjermane Angela Merkel fjalë të qarta kundër klisheve për migrimin e rumunëve nga varfëria.

100 ditë në detyrë - Klaus Iohannis

Nga ana tjetër përfaqësues të pakicave në Rumani e kanë parasysh se me Ioannis për herë të parë zgjidhet kryetar shteti dikush, që nuk i përket shumicës etnike rumune. "Kjo është një rrethanë të rëndësishme historike dhe do të ndikojë pozitivisht te minoritetet në Rumani", mendon avokati dhe ish ministër i Minoriteteve, Péter Eckstein-Kovács, i cili vetë i përket pakicës hungareze.
Në politikën e brendshme Ioannis, në një fjalim të pritur mirë në parlament, u bëri thirrje elitave të vendit për më pak "populizëm". Nën ndikimin e tij politikanët i kanë tërhequr iniciativat legjislative për mbrojtjen e politikanëve të korruptuar. Iohannis mbështet edhe përfshirjen më të madhe të organizatave të shoqërisë civile në procesin politik dhe kërkon ballafaqimin konsekuent me të kaluarën komuniste.

Mbështetja në BE

Këtu hyjnë për të edhe të ashtuquajturat "mineriada" nga vitet 1990, pak pas rrëzimit të diktaturës komuniste në Rumani. Në atë kohë minatorë nga lugina Shi në perëndim të Rumanisë sulmuan gjithsej tri herë demonstruesit, që ishin kritikë ndaj qeverisë, si dhe selitë e partisë së opozitës antikomuniste në Bukuresht. Një çerekshekulli më vonë zhvillohen hetime kundër ish presidentit të atëhershëm postkomunist Ion Iliescu dhe personave të tjerë të jetës publike në lidhje me këto sulme. Në janar të këtij viti Iohannis kujtoi me një mesazh publik sulmet e minatorëve, duke shkruar: "Ne duhet të falim, por jo të harrojmë."

Edhe në politikën e jashtme Iohannis vë thekse të reja. Edhe më fort se paraardhësi i tij Traian Băsescu ai bën thirrje për mbështetjen e thellë të Rumanisë në BE dhe për një aleancë të fortë me Gjermaninë dhe Poloninë. "Nëse në aksin e famshëm të Băsescut "Bukuresht-Londër-Uashington" Londra tani zëvendësohet me Berlinin, kjo është pozitive", thotë publicisti nga Bukureshti, Andrei Cornea. "Në politikën e jashtme rumune është i domosdoshëm një komponent më i madh kontinental." Edhe partneriteti me Poloninë është i rëndësishëm, thotë Cornea. "Aksi Bukuresht-Varshavë së bashku me shtetet balltike krijon një kundrapeshë ndaj atyre vendeve në rajon, që kanë një linjë të butë ndaj Rusisë në çështjen e Ukrainës."

Ish-ministra dhe zyrtarë të lartë në arrest

Klaus Iohannis muajt e fundit ka arritur një gjë: Në Rumani, lufta kundër korrupsionit po kryhet me aq konsekuencë, saqë vendi duket gati si një pionier në këtë drejtim në Evropë. Ndërkohë dhjetëra ish ministra, zyrtarë të lartë të qeverisë dhe biznesmenë, gjenden në paraburgim. Ata më parë konsideroheshin të paprekshëm, meqë ishin të afërt me pushtetarët përkatës. Madje edhe kundër vetë anëtarëve të familjes së udhëheqësit socialdemokrat Viktor Ponta dhe kundër ish presidentit Traian Băsescu po zhvillohen aktualisht hetime. Arsyen për këtë zhvillim të habitshëm politologia rumune Alina Mungiu-Pippidi e sheh në faktin se Ioannis është me të vërtetë i paanshëm dhe nuk protezhon njëri: "Kështu për herë të parë ka ardhur mundësia për të luftuar me të vërtetë korrupsionin", thotë Alina Mungiu-Pippidi, profesore për studimet e demokracisë në Hertie School of Governance në Berlin.
Megjithë entusiazmin, që ka në Rumani për Iohannis, ai vazhdimisht shkakton irritime, sidomos me mënyrën e tij të heshtur, e cila është në kontrast të madh me politikën dhe mediat fjalëshume në Bukuresht. Për shembull Ioannis është shprehur disa herë kundër "politikës si spektakël publik", nga e cila nuk janë të kënaqur gazetarët dhe komentatorët. "Ndoshta publiku ynë duhet të mësohet me këtë stil të ri, shumë të heshtur dhe me mesazhe koncize në facebook", thotë publicisti Andrei Cornea. "Ne nuk duhet të kthehemi te agresiviteti verbal i paraardhësit të tij Traian Băsescu, por një çikë më shumë elokuendë do të ishte e dëshirueshme. Por ndoshta presidenti i ruan për momentet me të vërtetë të rëndësishme." DW

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat