Endrit Balaj i pari në garën e Inteligjencës në Kosovë

Lajme

Endrit Balaj i pari në garën e Inteligjencës në Kosovë

Më: 29 mars 2015 Në ora: 18:41

Endrit Balaj nga fshati Varosh i komunës së Ferizajt doli i pari në garën e Inteligjencës “Eureka 2”, nga 15 nxënës-fitues sa ishin gjithsej .

Në etapën finale e cila u mbajt sot në mëngjes, morën pjesë 260 nxënës të klasave të 9-ta, ku matën inteligjencën e tyre në përmes kësaj gare që është organizuar në gjimnazin “Hasan Nahi” në Prishtinë.

Fituesi i parë fitoj një laptop, ndërsa çmimet e tjera kanë qenë nga më të ndryshmet, deri tek fituesi i 15 i cili fitoj një shumë prej 50 eurove.

Nxënësi Balaj, u shpreh mjaftë i kënaqur për këtë rezultat të tij të arritur në këtë test, që për të ishte mjaft i lehtë.

Balaj: Testi për mua ishte mjaftë i lehtë

“Jam shumë i kënaqur me arritjen time në garën e Inteligjencës “Eureka 2”, gjithashtu shfrytëzoj rastin t’i përshëndes të gjithë ata që më kanë përkrahur, e në radhë të parë janë familja ime, pastaj shoqëria ime dhe më së shumti arsimtarët dhe drejtori i shkollës sonë... Nuk e kam pasur fare vështirë, testi më është dukur shumë i lehtë dhe shpresoj që të kem suksese edhe në të ardhmen”, tha Balaj.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, tha se kjo ngjarje është shumë e rëndësishme për vendin tonë, e cila tregon se të rinjtë kanë kapacitet dhe inteligjencë dhe se janë bartësit e denjë për të ardhmen.

Bajrami: Finalistët tregojnë fuqinë dhe inteligjencën e nxënësve tanë

“Këta dy mijë finalistë që sot kanë mbushur këtë sallë në këtë ceremoni madhështore, tregojnë fuqinë e nxënësve tanë, tregojnë inteligjencën e tyre dhe këto ditë janë shoqëruar në mes vete nga të gjitha komunat e Kosovës, ata kanë treguar një inteligjencë, e cila ka bërë që të obligohemi, të punojmë për ta, të krijojmë programe arsimore, kurikula sa më të përshtatshme, të krijojmë sistem shkollor të krahasueshëm më sistemin evropian që njerëzve tanë të ju ofrojmë një arsimim të shekullit 21, të ju ofrojmë cilësi të shekulli 21, mësimdhënës të shekullit 21 dhe në këtë mënyrë ne do ta kryejmë borxhin para popullit të Kosovës, para rinisë së Kosovës e cila meriton që tani pas pavarësisë të gëzoj frytet e pavarësisë përmes një sistemi cilësor të edukimit”, tha Bajrami.

Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Atmosfera, Talip Aktashi, tha se gjimnazi “Hasan Nahi” do ta ndihmoj Kosovën që të ketë sukses në çdo fushe.

Aktash: “Hasan Nahi” do ta ndihmoj Kosovën për shumë suksese

“Fondacioni për arsim dhe kulturë “Atmosfera”, që prej themelimit ka dhënë një kontribut të madh për edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj. Sipas mendimit “Jetësoje njeriun që të jetoj shteti”, kemi hapur konvikte, kurse, shkolla dhe gjithashtu u kemi dhënë bursa nxënësve të zgjuar, që nuk kishin mundësi materiale. Rruga për të arritur këtë synim sublim, është duke u ofruar ambiente pune atyre të rinjve që do të bëjnë këtë punë. Kemi nevojë për njerëz të shquar si për vlera morale ashtu dhe për dije shkencore. Besojmë që gjimnazi “Hasan Nahi”, i cili është hapur me këtë synim, Kosovën do ta bëj të buzëqeshë për suksesin e tij në çdo fushë dhe të jap kontributin për paqen globale”, tha Aktash.

Në këtë garë, e cila në këtë vit u mbajt për të dytën herë radhazi, kanë marrë pjesë gjithsej 2 mijë nxënës të klasave të 9-ta nga 25 komuna të Kosovës, të cilët u sfiduan me test logjik dhe nga lënda e matematikës.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë premtoi se kjo garë tash e tutje do të bëhet traditë e rregullt e shoqërisë kosovare./J.Gjinovci/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat