Vetëvendosje në Shtime: Sërish asfalt, e jo bujqësi

Lajme

Vetëvendosje në Shtime: Sërish asfalt, e jo bujqësi

Më: 29 mars 2015 Në ora: 18:03

Lëvizja Vetëvendosje në Shtime ka kundërshtuar ndarjen e 42 mijë e 793 eurove për ndërtimin e një rruge.

Kjo lëvizje nuk e sheh të arsyeshme që në qytetin e Shtimës të shtrohet ende asfalt. Vetëvendosje në Shtime kërkon që mjetet të drejtohen në sektorin e Bujqësisë.

Vetëvendosje thotë se shumë prej 42 mijë e 793 eurove nuk ishte sqaruar saktë se në cilën rrugë dhe për çfarë arsye destinohen.

VV thotë se kanë mësuar se kjo rrugë shkon nga shtëpia e Kryetarit të Komunës.

“Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Ademi dhe Yllka Fejzullahu, kundërshtuan këtë propozim sepse janë shtruar mjaft rrugë deri tani, dhe propozuan që këto mjete të drejtohen në sektorin e bujqësisë, me arsyetimin se Komuna Shtimes përbëhet nga shumë fshatra ku bujqësinë e kanë prioritet për punësim e zhvillim”, thuhet në komunikatën për media të VV-së.

Kjo lëvizje thotë se vetëm 35.000 euro janë ndarë si subvencione për bujqësi, pa asnjë investim kapital në këtë fushë.

“Pra, këto të hyra të mbetura, nëse jo si subvencione të paktën të kishin shkuar si investime kapitale për bujqësi, duke ditur nevojën e madhe për mbështetje që kanë bujqit e fermerët e kësaj komune. Propozimi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje u mbështet nga gjitha subjektet opozitare, dhe po ashtu nga disa asamblistë të pozitës, por Kryesuesi i Kuvendit nuk e mori parasysh dhe nuk e hodhi në votim. Duke tentuar ta kalojnë më shpejt këtë pikë dhe debatin që solli, u mundua të bëhej një votim i shpejtë vetëm me propozimin e ekzekutivit për asfaltim rruge, duke anashkaluar tërësisht propozimin tonë. Prandaj, subjektet opozitare me plot të drejtë reaguan ndaj kësaj shkeljeje, duke e braktisur seancën”, thuhet më tutje në komunikatë.

Me këtë, Vetëvendosje thotë se kjo qeverisje komunale vetëm se vërtetoi mënyrën jo të drejtë të marrjes së vendimeve.

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shtime, do vazhdojë ta kundërshtojë keqqeverisjen në këtë Komunë, dhe do të vazhdojë me propozime të tilla për destinimin e të hyrave publike aty ku kanë nevojë më së shumti qytetarët, duke i kushtuar shumë vëmendje bujqësisë si sektor i rëndësishëm për Komunën e Shtimes.

Bujqësia në Shtime, siq thotë Vetëvendosje duhet të jetë prioriteti kryesor, për shkak të numrit të madh të familjeve që varen nga ky sektor i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat