Selimi: Mustafa nuk mund ta përballojë presionin për rrëzimin e qeverisë

Lajme

Selimi: Mustafa nuk mund ta përballojë presionin për rrëzimin e qeverisë

Nga: Intervistoi: Valbona Mazreku Më: 29 mars 2015 Në ora: 17:00

Intervistë me deputetin e Vetëvendosjes Rexhep Selimi

“Bota sot”: Iniciativat e opozitës, janë vlerësuar si tentativë për marrje të pushtetit me dhunë nga kryeministri. A mendon se ai ka “frikë” nga opozita, apo ndihet fajtor për largimin e paparalajmëruar nga VLAN?

Rexhep Selimi: Po fokusohem tek ngjarjet që ndodhën dhe ndaj të cilave kryeministri Mustafa deklaroi se opozita po tenton ta marr me dhunë pushtetin. Pra, kur u mbush sheshi me protestues ai tha se ne duam ta marrim me dhunë pushtetin. Dhe të mos harrojmë sepse dua të jem shumë korrekt me lexuesit e “Bota sot”, asnjëra nga kërkesat nuk ishte për të përmbysur pushtetin, asnjëra nuk ishte për dorëheqjen edhe të qeverisë. Kërkesa ishte shumë e thjeshtë, shkarkimi i Jabllanoviçit, dhe nëse ai (kryeministri Mustafa) e vlerëson se kërkesa për shkarkimin e Jabllanoviçit nënkupton edhe rënien e qeverisë, atëherë ai neve na e dha një mesazh se atë pushtet e ka të reduktuar tek një ministër i Listës serbe, na dha të kuptojnë se pushtetin e ka të lidhur me Listën Serbe dhe rrjedhimisht i binte se nëse Jabllanoviç do të shkarkohej ai do të rrëzohej. Kështu që ajo çfarë ndodhi pastaj, ndalja e protestave arritja e qëllimit të shkarkimit të Jabllanoviçit, ai edhe një herë është dashtë ta demantojë vetveten, nuk e ka bërë një gjë të tillë. Megjithatë ai zgjodhi të hesht dhe ne heshtjen e tij e morëm si demantin të vetvetes nga ai, për shkak se opozita kishte një qëllim shkarkimin e Jabllanoviçit dhe ai arriti. Por, nëse ai thotë se opozita nuk ia arriti që me protesta ta rrëzojë qeverinë, këtë do ta provojë kur opozita do të ketë këtë objektivë, pra rrëzimin e qeverisë dhe më pas ai mund të thoshte nëse opozita ia arriti apo jo. Ne kishim qëllim shkarkimin e Jabllanoviç dhe atë e arritëm.

(Intervistën e plotë mund ta lexoni të hënës në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot” në Kosovë dhe diasporë)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat