Kush janë 21 bashkëpunëtorët shqiptarë të UDB-së në Bosnje Hercegovinë?

Lajme

Kush janë 21 bashkëpunëtorët shqiptarë të UDB-së në Bosnje Hercegovinë?

Nga: Izet Duraku: Përballja me të keqen Më: 29 mars 2015 Në ora: 13:23

Dosjet e bashkëpunëtorëve shqiptarë që vijnë tash edhe në shqip, janë botuar në Sarajevë në vitin 2003 si pjesë e librit katërvëllimësh të Ivan Beshliçit “Mbrojtësit e Jugosllavisë – bashkëpunëtorë e UDB-së në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ndaj ky libër i autorit pejan Mehmet Loci mund të thuhet se e ka kaluar prej kohësh provën e zjarrit.

Droja që kishin shumë miq të I. Beshliçit rreth pasojave të paparashikueshme që mund të sillte publikimi i tyre nuk u vërtetua se solli efekte negative në mjedisin boshnjak. Përkundrazi, botimi i dokumenteve të fshehta ndihmoi shumë njerëz, ndër të tjera, të ndaheshin më lehtë me të kaluarën dhe të kuptonin më mirë “ndikimin e lobeve ideologjike e politike, paternalizmin e individëve në procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë, respektivisht nivelin e dirigjimit e posaçërisht pozicionin në të cilin sot gjendemi, sikurse edhe perspektivën e lirimit nga kundër civilizimi historik dhe robërues.”

Mehmet Loci ka përzgjedhur vetëm një pjesë të subjekteve, përkatësisht dokumentet për disa shqiptarë bashkëpunëtorë të UDB-së, të cilët në radhë të parë kanë spiunuar bashkëkombësit e tyre. Përmes këtij libri, duke filluar nga synimet që do të mbërrinte, deri tek sqarimet e hollësishme që zbulojnë gjithë mekanizmat veprues të shërbimeve sekrete jugosllave, dëshmohet nga autori njohje, kthjelltësi, guxim e seriozitet profesional. Ashtu siç dhe është i vetëdijshëm se “me hapjen e këtyre dosjeve, në esencë hiqet velloja e asaj që dikur konsiderohej si fshehtësi e shenjtë e veprimtarisë delikate e SHSSH-së, në Jugosllavi.”

Ai nuk niset nga përmbushja e kërkesave të kureshtarëve të sëmurë dhe as nga dëshira e ndokujt që, duke rrëmuar të kaluarën, të fillojë gjuetinë e shtrigave, t’i përdorë të dhënat për denigrimin, ofendimin, kompromentimin dhe diskreditimin e individëve apo familjeve të caktuara. Jo! Në publikimin e fakteve të fshehta, me përgjegjësi profesionale e qytetare, autori kërkon të nderojë ngjarjet e kohës, të vëtetat historike sado të hidhura të jenë.

Fshehja dhe mbytja e sekreteve nuk do t’i bënte ato as më të fisme, as më të pranueshme. Për më tepër, ekziston gjithnjë mundësia që një pjesë e informacionit sekret, përmes të vërtetave të pjesëshme dhe gjysmë të vërtetave, të dalë në dritë edhe nëpër kanale jo zyrtare. Të përhapura pastaj përmes tymit të thashethemnajës, do të përçonin më shumë erën kutërbuese të helmeve.

Autori mbron pozitat parimore për t’i emërtuar dukuritë morale e faktike me emrin që kanë, pa iu trembur të vërtetës. Spiuni, bashkëpunëtori, shpifësi, tradhëtari etj do të quhen gjithnjë me emrin që kanë, gjithnjë me bindjen se kështu do të nderohen njerëzit fisnikë e atdhetarë.

Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj, raportet e shqiptarëve me të kaluarën, pavarësisht prej dallimeve që burojnë nga veçoritë historike, mbeten edhe në gjendjen e sotme, si ballafaqime të vështira. Këtej buron edhe një pjesë e shkaqeve të një tranzicioni të gjatë në Shqipëri, ku ende nuk është kryer plotësisht procesi i dekomunistizimit.

Ende flitet në Tiranë për hapje dosjesh, por partizanë të mos hapjes së tyre u fryjnë rreziqeve të paparashikuara që do ta rrezikonin stabilitetin e vendit, sikur të ishte fjala për hapjen e “Kutisë së Pandorës”. Ndërkohë, të ushqyera prej padronëve të politikës, kohë pas kohe shtypi ka qenë i mbushur me një luzëm pseudonimesh, botimi i të cilave më shumë se me transparencën, është lidhur me shantazhimin dhe pengmarrjen e personazheve të caktuar të jetës së vendit.

Kombet e mëdha e kanë zgjidhur më lehtë përballjen me të kaluarën e vet të hidhur. Brenda shekullit XX gjermanët janë përballur dy herë me nevojën për tu çliruar si shoqëri e si komb nga praktikat naziste e komuniste. Në vitet 1945-1950 gjermanët patën ndihmën e pakursyer euroatlantike, ndërsa në vitet ’90, pas bashkimit kombëtar procesi i dekomunistizimit në Gjermaninë Lindore, përmes hapjes së dosjeve të STAS-it, njohu ndihmën e gjermanoperendimore që ndër të tjera në pjesën lindore investoi çdo vit qindramilionë dollarë në ekonomi.

Shqiptarët duhet të veprojnë kudo me kurajo e seriozitet duke u mbështetur tek miqtë, por më së shumti tek vetja. Në Kosovë të gjitha arkivat, përfshirë edhe ato të Sekretariatit Krahinor janë “strehuar” në Beograd nga administrata kolonizuese serbe. Ende vazhdon dokumentimi dhe gjykimi për krimet serbe, veçanërisht gjatë mësymjes dhe tërheqjes së fundit të trupave policore e ushtarake, kur u shtuan deri në genocid aktet mizore.

Nuk mund të pritet deri sa Serbia të demokratizohet, të pranojë fajet e veta, të kërkojë falje. Edhe kohët e fundit autoritetet aktuale në Serbi kanë këmbëngulur për mosnjohjen e realitetit në Kosovë, madje kanë shprehur dëshirën për rikthimin e gjendjes së mëparshme. Por pasuria arkivore, si pronë e qytetarëve të Kosovës duhet të kthehet në institucionet legjitime të saj. Kjo kërkesë e ligjshme duhet të përfshihet në përmbajtjen e bisedimeve dhe të marrëveshjeve me palën serbe. Ndërkohë duhet hartuar ligji i pasaçëm që garanton të drejtën e secilit qytetar të njihet me pasurinë arkivore, qoftë edhe ato të fshehta që ishin grumbulluar për të qenë sekrete të përjetshme.

Libri i autorit Mehmet Loci do ta bëjë më të mirë krejt shoqërinë shqiptare. Një ndër mësimet më të rëndësishme të librit qëndron në zbulimin e faktit se robëruesit e lirisë shpesh veprojnë siç vepron sot mafia duke i kërcënuar njerëzit me veset dhe deformimet në karakterin e tyre. Pra e keqja zgjedh si aleat të keqen. Ka ndodhur dhe mund të ndodhë përsëri. Njohja e këtij fakti do t’i shërbejë gjithkujt për të mos shkelur kurrë në dërrasë të kalbur. Që të mos skllavërohet më vonë për shkak të dobësive vetjake.

Përveç ideatorëve të së keqes, askush nuk ka nevojë që trembet. Dekurajimi i të keqes, kurdo që të ndodhë, është i mirëseardhur. Në fund të fundit, sekretet mund të zgjasin përkohësisht, por jo përjetësisht. Përballë këtij fakti natyrisht që duhet të mos flenë në dafina vetëm ata që e çojnë nëpër mend dhe u bien në qafë të tjerëve.

Klubi i Poezise, Tirane njofton se doli nga shtypi libri me titull :

“21 bashkepunetore shqiptare te UDB ne Bosnje Hercegovine”

Autori : Mehmet Loci Meti Loci

Redaktor: Rexhep Shahu

RecenzentIzet Duraku

Punoi ballinën & Arti grafik: Nita Loci

Shtëpia Botuese:

Klubi i Poezisë, Tiranë, e-mail: [email protected],

Telefon : +355 682076965; +355682460417

Shtypshkronja: “Litografia”, Gjakovë

ISBN: 978- 9928-4261-5-4

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat