Serbet në institucione, normalizojnë raportet

Lajme

Serbet në institucione, normalizojnë raportet

Më: 29 mars 2015 Në ora: 12:40

Prania më e madhe e serbëve të veriut në jetën institucionale dhe publike në Kosovë, do të ndikojë në integrimin e tyre dhe në vendosjen e marrëdhënieve bilateral mes Kosovës dhe Serbisë

Vlerësojnë pjesëtarë të shoqërisë civile në Kosovës.

Shuarja e strukturave paralele të sigurisë në komunat veriore, ndikon në integrimin e serbëve të atjeshëm në institucionet e Kosovës, vlerësojnë përfaqësues të shoqërisë civile.

Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politika, thotë se integrimi i serbeve të veriut, është në favor të vetë tyre, por edhe të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“ Kjo kërkon një hapësirë më të madhe për serbët e Kosovës dhe për përfshirjen e tyre në jetën institucionale dhe publike në Kosovë. Prishtina zyrtare ishte mësuar që të kishte me pak serbë, përshkak se serbët e veriut refuzonin integrimin, por tani kërkojnë më shumë përfaqësim. Dhe e dyta që është më e rëndësishme është se kjo ndikon në vendosjen e marrëdhënieve bilaterale.”

Ndërkohë që Nenad Maksmimoviç nga Qendra për Paqe dhe Tolerancë vlerëson se zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit, po jep shenja pozitive në integrimin e serbëve të veriut, në institucionet kosovare.

“Ajo që është thelbësore është se edhe shpërbërja e Mbrojtës Civile , është vazhdim i shuarjes së institucioneve të Serbisë, në Kosovë, si pjesë e Marrëveshjes së Brukselit. Mund ta shihni se çfarë efekti pozitiv ka sjellë për sigurinë e qytetarëve në veri, integrimi i pjesëtarëve të MUP-it, në Policinë e Kosovës.”

Ditë më parë është arritur marrëveshja mes Kosovës, Serbisë dhe BE-së, për zhbërjen e strukturës paralele për siguri ne veri të Kosovës, “Mbrojta Civile”. Marrëveshja parasheh që qindra pjesëtarë të kësaj strukture të integrohen në institucionet e Kosovës. Ministrja Edita Tahiri ka mohuar faktin që këta pjesëtarë do të integrohen në Policinë e Kosovës, siç kishte ndodhur me integrimin e pjesëtarëve të MUP-it serbë në Policinë e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat