Shoqata Nëna Terezë rikthen aksionin “Blej dhe dhuro”

Lajme

Shoqata Nëna Terezë rikthen aksionin “Blej dhe dhuro”

Më: 29 mars 2015 Në ora: 09:18

Për të dytën herë rradhazi, me iniciativë të Shoqatës Humanitare Bamirëse së Kosovës Nëna Terezë, dhe me mbështetjen e qendrës tregtare Viva Fresh Store në Kosovë, organizohet aksioni “Blej dhe dhuro” i cili ka për qëllim mbledhjen e produkteve ushqimore dhe higjienike për familjet që jetojnë në kushte të rënda.

Qëllimi i këtij aktiviteti është që qytetari të jetë kontribues i drejtpërdrejtë tek familjet nevojtare të Kosovës, ku përderisa kryejnë blerjen e tyre në të gjitha pikat e Viva Fresh Store nëpër Kosovë, të ndajnë nga një artikull për t’i lënë tek këndi i Bamirësisë së Shoqatës Nëna Terezë të vendosura në hapësirat e Viva Fresh Store.

Drejtori i Shoqatës Nëna Terezë, Zef Shala, ka theksuar se aksioni “Blej dhe dhuro” do të organizohet edhe kësaj radhe me shpresë se do të jetë i suksesshëm ashtu si edhe vitin e kaluar, organizuar gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. “Aksioni “Blej dhe dhuro,” i organizuar gjatë vitit të kaluar, asistoi më shumë se 500 familje nevojtare anembanë Kosovës. Pra, ky aktivitet bashkon të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, kështu duke i afruar ata tek familjet nevojtarë në Kosovë. Përmes këtij aktiviteti, konsumatorët, në këtë rast të Viva Fresh Store, kanë mundësi që të blejnë një artikull shtesë, ushqimor apo higjienik, dhe ta vendosin tek pikat tona grumbulluese, dhe kështu, të ndihmojnë në formimin e një pako e cila i shpërndahet familjeve në nevojë të Kosovës. Shoqata Nëna Terezë kryen misionin e saj humanitar në Kosovë tashmë qe 25 vite, andaj falënderojmë Viva Fresh Store dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, pasi që përmes kontributit të tyre, mundësohet që këto iniciativa të ndihmojnë ata që kanë nevojë për ne – familjet nevojtare kosovare.”

Agron Jetishi, Drejtor Ekzekutiv në kompaninë Viva Fresh Store, përgëzoi Shoqatën Nëna Terezë për vullnetin e treguar për marrjen e kësaj iniciative, dhe siguroi se Viva Fresh Store është e gatshme për të qenë pjesë e organizimeve të tilla edhe në të ardhmen. “Viva Fresh Store ka një traditë të gjatë të angazhimit në komunitet dhe në mbështetjen e iniciativave humanitare si përparësi kryesore.

Duke parë suksesin që ky aktivitet solli vitin e kaluar, Viva Fresh Store ofron përkrahjen edhe kësaj rradhe, kështu duke nxitur frymën e vullnetit të mirë për të kontribuar për familjet nevojtare në Kosovë.

Në hapësirat e të gjitha pikave të Viva Fresh Store në Kosovë janë vendosur këndet e Bamirësisë, andaj, ne iu bëjmë thirrje qytetarëve që të mbështesin këtë aktivitet humanitar dhe të ndihmojmë familjet kosovare që jetojnë në kushte të rënda sociale.”

Aktiviteti do të zgjasë një muaj që nga fillimi i tij, ku të gjitha artikujt e grumbulluar do të paketohen nga stafi dhe vullnetarët e Shoqatës Nëna Terezë dhe Viva Fresh Store. Shpërndarja e pakove do të bëhet në vazhdimësi, me t’u mbushur stendat e vendosura në të gjitha pikat e Viva Fresh Store./kp/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat