I kërkuari nga Serbia del para Gjykatës në Prishtinë

Lajme

I kërkuari nga Serbia del para Gjykatës në Prishtinë

Më: 29 mars 2015 Në ora: 00:23

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për Predrag Vuliçeviqin i cili u arrestua dy ditë më parë nga Policia e Kosovës në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia.

Vuliçeviq, i cili njihet edhe me nofkën “Pexha” është shpallur në kërkim nga policia serbe për shkak se i njëjti është i dënuar për narkotikë, mirëpo ende është pikëpyetje nëse Vuliçeviqi do të ekstradohet në Serbi.

Avokati i Vuliçeviqit, Kapllan Baruti, i ka thënë KALLXO.com-it se vendimi nëse klienti i tij do të ekstradohet ose jo, do të dihet në 40 ditët e ardhshme.

“Është një rast i cili ka të bëjë me një vepër penale të kryer në Serbi. Klienti im është i dënuar me 3 vjet burgim me aktgjykim të formës së prerë”, ka sqaruar Baruti.

Avokati konfirmoi se klienti i tij për një kohë ka qëndruar në Mitrovicë ku është arrestuar në bazë të një fletë arresti të lëshuar në INTERPOL nga Serbia.

Baruti bëri të ditur se deri më tani Republika e Serbisë nuk ka bashkëpunuar me organet e Kosovës për të kryer ekstradimin.

“Deri më tani nuk ka kërkesë prej Serbisë. Ata brenda 40 ditësh kanë të drejtë ta bëjnë kërkesën për ekstradim. Nëse jo, masa e paraburgimit do të shuhet”, ka shpjeguar Baruti.

Vuliçeviq ishte strehuar për një kohë në veriun e Mitrovicës ku ishte parë të merrte pjesë edhe në aktivitete publike.

Për momentin Ministria e Drejtësisë së Kosovës nuk ka marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë së Serbisë rreth çështjes së ekstradimit të personave të kërkuar. /kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat