Këta janë pesë kamikazët e historisë së aviacionit civil

Lajme

Këta janë pesë kamikazët e historisë së aviacionit civil

Më: 28 mars 2015 Në ora: 23:49

Nga 18524 aksidentet e aviacionit civil që kanë ndodhur prej vitit 1919 e deri sot – i pari në Verona, në 2 gusht të atij viti, një “Caproni ca.48 që fluturonte nga Venecia në Milano (14 të vdekur) – Rrjeti i Sigurisë së Aviacionit konsideron zyrtarisht vetëm pesë prej tyre të shkaktuar prej pilotëve vetëvrasës. Tre të tjerë i katalogon si “të dyshuar”.

Është vërtetë i habitshëm fakti që të pestë rastet e sigurt i përkasin periudhës para 11 shtatorit 2001, ditë kur pas sulmit ndaj kullave binjake dhe Pentagonit u mor vendimi për të blinduar dyert e pilotëve.

Nga këta pesë raste, të paktën katër nuk i mban më mend askush. Një pilot rus, i cili në 25 shtator 1976 mori një avion Antonov dhe shkoi e u përplas me një bllok apartamentesh në Novisibirsk, ku jetonte ish bashkëshortja: vrau 12 vetë, ajo nuk ishte në shtëpi.

Një tjetër pilot rus, në 13 korrik 1994 mori dhe ai vjedhurazi një avion në Kubinka dhe u rrëzua sapo mbaroi karburanti, pa shkaktuar të vdekur.

Ndërkohë, ishte një mekanik i sapo pushuar nga puna, në 22 gusht 1979, që mori fshehtas një avion në Bogota: përfundoi në një qendër banimi, me katër të vdekur. Rasti i katërt në Botsvana, në 11 tetor 1999: një pilot i Air Botsvana që nuk ishte lejuar të fluturonte për arsye shëndetësore ngriti i vetëm në ajër një “Atr42” dhe më pas e rrëzoi pasi e kishte lajmëruar tre herë në radio. Nuk pati viktima.

Rasti i pestë i njohur zyrtarisht ka ndodhur në 21 gusht 1994, kur një “Atr 42” i Royal Air Morocco u rrëzua në Agadir. 44 vetë gjetën vdekjen, tetë prej tyre italianë. Kish qenë piloti Younes Khiati, 35 vjeç, që kishte vendosur gjithçka. E ka rrëfyer regjistrimi i 30 sekondave të fundit të fluturimit: Piloti i dytë i ulëret 18 herë Khiatit: “Komandant, çfarë bën?”. Dhe ai i përgjigjet: “Po vdes”.

Komandanti Katagiri

Raste të tjerë kanë mbetur të paktën formalisht të debatuar. Si ai i “Dc8” i Japan Airlines që në 9 shkurt 1982 u rrëzua në det, pak përpara se të ulej në Tokio për shkak të një manovre qëllimisht të gabuar të komandantit Seiji Katagiri: dy pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit nuk mundën ta ndalin, vdiqën 24 vetë, 150 mbetën të plagosur. Katagiri, prej kohësh vuante prej shqetësimeve nervore.

Apo si një tjetër rast, i fundit në rendin kohor, ai i Boeingut 777 të Malaysia Airlines që u ngrit nga Kuala Lumpuri në 8 mars të vitit që kaloi, me destinacion Pekinin.

Pas 40 minutash ndërpreu çdo kontakt me radarët. Kishte 239 persona në bord, komandanti Zaharie Ahmad Shah, 53 vjeç, u fut në një kurs të pashpjegueshëm, lartë e poshtë nëpër Oqeanin Indian.

Pas 13 muajsh nuk është gjendur as edhe një copëz nga avioni, pavarësisht se në kërkime kanë marrë pjesë 27 shtete.

Por një dokumentar i BBC-së ka zbuluar se pak përpara se të rrëzohej ai Boeing kishte kaluar çuditërisht mbi Penang, ishulli i lindjes së komandantit Shah, a thua ai kishte dashur që asaj toke ku kishte lindur t’i jepte përshëndetjen e fundit.

Tragjedia në SHBA

Shumë i debatuar mbetet edhe aksidenti i Egypt Air i 31 tetorit 1999: u nis nga Nju Jorku për në Kajro, me 217 persona në bord.

U rrëzua në Atlantik pak pas nisjes. Hetimet e FBI-së rindërtuan atë që mund të kishte ndodhur: piloti i dytë, Jamil Batouti pasi komandanti doli nga kabina kishte vënë në punë pilotin automatik dhe kishte nisur uljen. Deri në regjistrimin e sekondave të fundit kur Batouti thirri: “I besohem Zotit”. /messaggero/bota.al

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat