Dhoma Amerikane e Tregtisë mbështet marrëveshjet ekonomike Shqipëri-Kosovë

Lajme

Dhoma Amerikane e Tregtisë mbështet marrëveshjet ekonomike Shqipëri-Kosovë

Më: 28 mars 2015 Në ora: 14:37

Marrëveshjet e firmosura në fushën ekonomike nga dy qeveritë Shqipëri-Kosovë kanë marrë edhe vlerësimin e Dhomës Amerikane të Tregtisë. Gjatë një forumi për lirinë ekonomike të organizuar sot në Tiranë, Mark Crawford, presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë tha se është një hap shumë pozitiv fakti që Shqipëria ka nisur thjeshtimin e procedurave me tregun e Kosovës.

Ai foli gjithashtu edhe për sistemin e taksave në Shqipëri, aplikimin e TVSH-së, si dhe për eksperiencën e Amerikës në sistemin fiskal, ku çdo shtet ndryshon nga tjetri, dhe po ashtu edhe rezultati është i tillë; dështim ose sukses.

Crawford: Thjeshtimi i procedurave me tregun e Kosovës hap pozitiv

"Ne si Dhomë Amerikane e Tregtisë mirëpresim gjithë stabilitetin që ofron biznesi, edhe gjithashtu mirëpresim objektivat e qeverisë për thjeshtimine procedurave, përfshirë këtu edhe derregullimin (zvogëlimin e procedurave) që Shqipëria është duke bërë me Kosovën, dhe besoj se edhe qeveria dhe opozita janë dakord me këtë pikëpamje për thjeshtimin e procedurave me tregun e Kosovës, që është diçka shumë e mirë. Unë kam parë eksperiencën e Amerikës; nëse ke një tatim që ke zero për qind (0 %), do të thotë se nuk do të marrësh asnjë të ardhur sepse është zero, por prapë se prapë nëse do shkosh deri në 100 % tatime, gjithë biznesi dhe gjithë personat që janë në treg do jenë të rënduar edhe nuk do punojnë fare kështu që prapë do marrësh zero fitim”, tha Crawford.

Ndërsa, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj i pranishëm në këtë forum foli për taksimin progresiv të aplikuar nga Qeveria Rama, duke e quajtur atë taksim të drejtë, dhe që nuk çon absolutisht në falimentimin e kompanive apo në varfërimin e të pasurve.

Veliaj: Taksimi progresiv nuk i varfëron të pasurit, askush nuk ka falimentuar

"Taksimi nuk është që të thyej në mes të pasurit, taksimi është që të ndihmojë, të pasurojë, ose të ngrejë nga varfëria shtresën e ulët dhe të fuqizojë shtresën e mesme. Unë nuk besoj se taksimi progresiv po thyen në mes të pasurit. Nuk më rezulton të kemi një kompani e cila të thotë se falimentova prej taksimit progresiv. Nuk ka raste të tilla. Mund të kenë falimentuar për arsye të tjera por jo prej taksimit progresiv, sepse nuk besoj se është në masën e vendeve që u përmendën këtu 40 % apo 50 % siç është në Skandinavi. 15 % nuk më duket se është një taksim i dividentit ose i fitimit që dikë që sot është pasanik e varfëron," tha Veliaj.

Edhe Ardian Civici, profesor dhe ekspert i ekonomisë nënvizoi faktin se nisur nga eksperienca e vendeve të zhvilluara, sot për ofrimin e shërbimeve publike po aplikohet një sistem liberal, i shkrirjes apo gërshetimit tëshërbimit shtetëror me atë privat.

Civici: Shërbime publike liberale përmes shtetit

"Është ndoshta e paqartë që edhe kur shërbimi ofrohet si shërbim shtetëror, në fakt ne nuk paguajmë çmim tregu por paguajmë atë që quhet çmimi fiskal, pra paguajmë taksat për ta marrë atë shërbim secili nga ne; për ta marrë atë shërbim që ka imazhin sikur është shërbim falas. Atëherë diskutimi që bëhet sot është i kësaj natyre; si ti japim përgjigje një lloj dileme që edhe të fusim elemente të tregut të cilat natyrisht nëpërmjet konkurencës, transparente dhe të ndershme gjejnë gjithmonë çmimin më të mirë ekuilibër për cilësinë e shërbimit, aksesin e tij dhe çmimin që ka; dhe njëkohësisht të mos e përjashtojmë shtetin nga detyra e tij themelore?! Nga eksperienca botërore të paktën në 10 apo 15 vitet e fundit mund të duket si paradoks por konkluzioni është që sa më shumë liberale apo neoliberale janë bërë këto vende përsa i përket ofrimit të shërbimeve publike aq më i madh dhe më i rëndësishëm është bërëroli i shtetit," tha Ardian Civici, ekonomist.

Këto deklarata u bënë publike sot në kryeqytetin shqiptar gjatë mbajtjes së Forumit të Tiranës për Lirinë Ekonomikë, me temë: 'Kërcënimi nga Mbirregullimi', forum i organizuar nga Besart Kadia, drejtor ekzekutiv i Fondacionit për Liri Ekonomike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat