Fondi i veriut prej 5.1 milionë euro nuk menaxhohet

Lajme

Fondi i veriut prej 5.1 milionë euro nuk menaxhohet

Më: 28 mars 2015 Në ora: 14:27

Fondi për Veriun i dedikuar për projekte kapitale në komunat e banuara me shumicë serbe prej themelimit të saj e deri më sot nuk është prekur fare.Megjithëkëtë, në të mjete janë derdhur vazhdimisht nga taksat doganore të importuara nga dy pikat doganore të cilat ndodhen në veri të vendit. Të dhënat e doganave të Kosovës tregojnë se në këtë fond janë grumbulluar mbi 5.1 milionë euro. Kurse, nga veriu thonë se së shpejti dihen ku do të shfrytëzohen mjetet e fondit.

Kryetarja e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, Adriana Hoxhiqin, ka thënë për KosovaPress se brenda disa javëve do të dihen projektet për të cilat do të shfrytëzohen mjetet e fondit

Hoxhiq: Kryetarët e komunave kanë idetë për projekte

“Janë bërë disa takime të frytshme lidhu me këtë fond dhe besoj që kryetarët e komunave deri diku i kanë ideja se në të cilat projekte të infrastrukturës do të investohen këto fonde. Tani ky proces është vetëm në fillim dhe nuk kemi detaje lidhur me projektet të cilat do të ndodhin por si informatë të saktë do ta kemi pas dy apo tre javësh”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, zëdhënësi i doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë se për tre muaj të parë të këtij viti në këtë fond janë grumbulluar mbi 500 mijë euro, ndërsa në total janë 5.1 milionë euro.

Stavileci: Janë grumbulluar 5.1 milionë euro në fondin për veriun

“Prej vitit 2014 kur dogana është vendosur në ato dy pika edhe kur kanë filluar zhdoganimet deri më tani janë grumbulluar mbi 5 milionë euro, ose më saktësisht 5.1 milionë euro për atë fond. Faktikisht ato mblidhen fillimisht në buxhet dhe pastaj i adresohen në bazë të vendimeve të qeverisë”, ka thënë Stavileci.

Sipas tij, për tre muaj të parë të këtij viti janë mbledhur afër 500 mijë euro. Po ashtu, Savileci ka thënë se natyra e mallrave të importuara në ato dy pika doganore janë mallra me sasi të vogël të importit dhe kryesisht mallra konsumuese.

Përfaqësues nga opozita kanë kritika që ky fond mund të keqpërdoret dhe të shkoj në xhepa të kontrabandistëve, ndërsa përfaqësues të opozitës thonë se kjo nuk ka mundësi të ndodh.

Donika Kada Bujupi, shefe e grupit parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka thënë se të gjitha veprimet e qeverisë së kaluar dhe të tashme lidhur me veriun janë të dëmshme.

Kada: Nuk ka transparencë për fondin

“Për shembull gjithçka bëhet në baza të etnisë sikurse marrëveshja për drejtësinë tani edhe ndarja e fondit për të cilin nuk ka fare transparencë dhe askush nuk jap llogari, që nënkupton që këto para nuk do të shkojnë tek qytetarët e veriut qytetarët e varfër.. por në fakt do të shkojnë në xhepat e kontrabanduesve dhe keqpërdoruesve të cilët janë ose kanë qasje në këtë fond”, ka thënë Kada-Bujupi.

Ajo po ashtu shpreh dyshime se nuk dihet se si do të shpërndahen mjetet dhe se si i tillë është ilegal.

Zafir Berisha, deputet nga Nisma, këtë fond e ka quajtur si fond të kundërligjshëm sepse kjo krijojnë fonde paralele duke favorizuar një pjesë të qytetarëve.

Berisha: Fond diskriminues

“Fillimisht mendojë se ai fond në atë natyrë si është bërë është jo i ligjshëm sepse krijohen fonde paralele dhe favorizohet një pjesë derisa një pjesë tjetër disfavorizohet. Mendoj se të hyrat nga doganat e Kosovës duhet të jenë njëjtë për të gjithë qytetarët e Kosovës.. Në momentin që ky fond ka destinim të caktuar me prapavija të caktuar natyrisht se ka elemente edhe të keqpërdorimit të mundshëm të këtij fondit”, ka thënë ai.

Berisha po ashtu ka thënë për KosovaPress se praktikat e kaluara kanë treguar se fondet e kësaj natyre të destinuara për komunitete të caktuara nuk shfrytëzohet ashtu siç paraqitet.

Në ndër kohë, kryetari i komisionit parlamentar për buxhet dhe financa, Naser Osmani, ka thënë për KosovaPress se këto mjetet kanë destinim të qartë të shpenzimit, investimet kapitale dhe jo të kenë destinim tjetër.

Osmani: Mjetet e këtij fondi janë të destinuara vetëm për investime kapitale

“Fondi i veriut është i paraparë me ligjin për buxhetin sipas marrëveshjes së Brukselit, grumbullohet në pikat kufitare 1 dhe 31 i dedikohet kryesisht zhvillimit ekonomik të katër komunave të pjesës veriore. Fjala është për të gjitha ato firma të regjistruara në këto katër komuna që bëjnë importin e mallrave për pjesën doganore paguajnë në këtë fond…Procedura është e njëjtë sikurse për ç’do investim tjetër kapital, fjala është që këto mjetet janë kryesisht të destinuara por jo kryesisht por kryekëput për investime kapitale qoftë në infrastrukturë qoftë në zhvillim ekonomik apo të kësaj natyre dhe nuk mund të destinohen për çështjetë tjera”, ka thënë Osmani.

Ai ka shtuar se krijimi i këtij fondi ka të bëjë me mundësin e zhvillimit ekonomik, dhe mjetet që grumbullohen në atë fond nuk mund të shpenzohen për mallra dhe shpenzime apo diçka tjetër. Ai po ashtu ka thënë se ende nuk ka ndonjë kërkesë për t’u ndarë mjete nga ky fond.

Ndryshe, Fondi nga i cili mund të përfitojnë Mitrovica Veriore, Leposaviqi, Zveçani e Zubin-Potoku është krijuar dhjetorin e vitit 2013, pas një marrëveshjeje Kosovë-Serbi.

Burimet fillestare të fondit të zhvillimit do të jenë nga taksat doganore, taksat indirekte dhe obligimet tjera në dy pikë kalimet kufitare në veri – Jarinjë e Bërnjak – siç janë tatimi mbi vlerën e shtuar dhe akciza. Fondi është proklamuar si i hapur edhe ndaj burimeve të tjera dhe Zyra e BE-së kishte dhënë paralajmërimin më herët se këto burime do të hulumtoheshin në një fazë të mëvonshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat