Drejtori i RTK-së i shkruan letër stafit, lavdëron veten e ata

Lajme

Drejtori i RTK-së i shkruan letër stafit, lavdëron veten e ata

Më: 27 mars 2015 Në ora: 14:48

Drejtori i përgjithshëm i Televizionit publik të Kosovës, Mentor Shala, i kritikuar dje nga gazetarë e institucione për largimin nga puna të dy sindikalistëve, që kishin mbajtur qëndrim kritik ndaj udhëheqësve rreth menaxhimit të parasë publike dhe që kishin denoncuar keqpërdorime nga menaxhmenti, sot i është drejtuar stafit të këtij mediumi publik me elozhe për, siç ka thënë, punë e madhe të mirë e të përgjegjshme që po bën ky me ta.

Ja edhe letra e plotë e Mentor Shalës, drejtuar stafit:

“Të dashur kolege/ë,

Fillimisht ju shpreh përgëzimet e mia për punën e madhe që po e bëni në RTK edhe në situata që nganjëherë mund të jenë të pakëndshme. RTK vazhdimisht ka qenë nën presion të të gjitha grupeve të interesat dhe vazhdimisht i kemi tejkaluar të gjitha problemet e telashet dhe atë vetëm me punën e palodhshme të stafit të RTK-së.

Jam shumë i sigurt që po të ishim të dobët në askush nuk do të merrej me ne, nuk do ta kishim këtë presion nga jashtë. Fatkeqësisht ata që nuk ia donë të mirën RTK-së kanë gjetur edhe brenda RTK-së njerëz që po i kontribuojnë prishjes së imazhit të RTK-së. Duke qenë të fortë jemi bërë pengesë për arritjen e qëllimeve të grupacioneve politike, të biznesit dhe edhe konkurrencës. Pra ka shumë drejtime nga vjen presioni kundër RTK-së dhe po i përmendi disa arsye pse po vjen ky presion:

E para, në Kosovë po ndodhin shumë zhvillime kryesisht politike të cilat po reflektojnë edhe te një pjesë e stafit si edhe në të gjitha institucionet tjera.

E dyta, shumë shpejt pritet të vendoset për procesin e digjitalizimit dhe sigurisht se grupet e interesit nuk janë të interesuara që ta kenë RTK-në të fortë.

E treta, RTK sipas të gjitha sondazheve vazhdon të jetë shumë e fortë në tregun medial transmetues në Kosovë dhe kjo sigurisht që i pengon konkurrencës e cila gjithashtu bën presion në forma të ndryshme, përmes lobimit te deputetët, përmes shpifjeve e shantazheve publike në drejtim të transmetuesit publik.

Ka edhe shumë drejtime tjera të cilat nuk po i përmendi për momentin por që po tentojnë të na shkaktojnë destabilizim të brendshëm të RTK-së e që sigurisht shkaktojnë konfuzion dhe pasiguri edhe në punën tuaj. Çdo destabilizim i RTK-së do të jetë i pariparueshëm dhe RTK nuk do të mund të ngrihet në këmbët e veta më asnjëherë, që është edhe qëllim i atyre që po tentojnë ta bëjnë këtë gjë.

Por unë një gjë mund t’ju garantojë, se nuk do të lejojë siç nuk kam lejuar deri më tash askënd që të prish imazhin e RTK-së e lëre më ta destabilizojë.

Unë jam shumë i sigurt se as ju kolege e kolegë të dashur nuk do ta lejoni një gjë të tillë.

Dje kam marrë një vendim për shkëputjen e kontratës së punës së dy punëtorëve të RTK-së. Edhe pse u tentua të manipulohet politikisht ky vendim, unë me përgjegjësi të plotë ju them që në asnjë pikë këta dy persona nuk janë shkarkuar për shkak të aktiviteteve sindikale. Vendimi është marrë për çështje kryekëput disiplinore si punonjës të RTK-së. Besoj që edhe ju pajtoheni që në RTK duhet të mbretërojë disiplina përndryshe nuk mund të funksionojmë si duhet.

Nuk mund të pajtohem në asnjë mënyrë që ata që punojnë vazhdimisht për RTK të trajtohen njëjtë si ata që nuk punojnë asgjë. Nuk është fer ndaj kolegëve që japin mundin e tyre gjatë tërë ditës për RTK, t’i trajtojmë të barabartë me ata që nuk punojnë dhe dalin shajnë, fyejnë, ofendojnë, shantazhojnë kundër kolegëve dhe RTK-së.

Së shpejti do ta krijojë një komision i cili do të verifikojë të gjitha hyrje daljet e stafit dhe performancën e punëtorëve, në mënyrë që të kemi një pasqyrë të qartë se kush me të vërtetë punon në këtë shtëpi e kush jo. Pas përfundimit të punës së këtij komisioni do të ndërmarrim masat e parapara me rregulloret tona, statutin dhe ligjin e RTK-së.

Kam menduar se kjo mënyrë do të jetë një shtytje edhe më e madhe edhe të atyre që nuk punojnë sa duhet, ta respektojnë orarin e punës dhe rregullat e punës.

Këtë vit do të ishte mirë që të nënshkruhet edhe Kontrata Kolektive e cila është e gatshme që një vit, por për shkak të refuzimit të kryetarit të SPRTK nuk e kemi nënshkruar. Prandaj i inkurajojë të dy sindikatat që të caktojmë një takim sa më shpejt që është e mundur dhe të nënshkruajmë Kontratën Kolektive e cila do të avancojë edhe më shumë të drejtat e juaja, kolegë të dashur. Jam shumë i hapur për të diskutuar edhe me përfaqësuesit e SPRTK dhe të SPERTK për të gjitha problemet me të cilat po ballafaqohen punëtorët dhe mundësitë e zgjidhjes së këtyre porblemeve. Shfrytëzoj rastin t’i ftojë SPRTK dhe SPERTK në takime të ndara, për të cilat do t’i njoftojë Asistentja e Drejtorit të Përgjithshëm.

Këtë vit jam shumë i sigurt që do të gjendet zgjidhja e përhershme e financimit dhe do të gjendet edhe lokacioni për të filluar ndërtimin e objektit të ri. Edhe investimet në teknologji tashmë kanë filluar procedurat përmes donacionit japonez. Por kjo s’do të thotë që ne s’do të investojmë edhe më tej në teknologji dhe departamentet tjera.

Duke ju uruar edhe më shumë suksese gjatë këtij viti, ju falënderoj për mirëkuptim!” - përfundon letra.

Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala dhe RTK-ja në përgjithësi dje u kritikuan ashpër gjatë një debati në Kuvendin e Kosovës, që iu kushtua këtij transmetuesi publik, me ç’rast u kërkua shkarkimi i tij dhe hetime për keqpërdorime.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat