Hyseni: Në vend të fajësimit të Serbisë, po njolloset UÇK-ja

Lajme

Hyseni: Në vend të fajësimit të Serbisë, po njolloset UÇK-ja

Nga: Mimozë Lakna Më: 27 mars 2015 Në ora: 10:55

Në vend që të fajësohet Serbia për mijëra krime të cilat kanë ndodhur gjatë luftës, Qeveria e Kosovës po e përgatitë terrenin për krijimin e Gjykatës Speciale. Kështu thotë për “Bota sot”, Zgjim Hyseni, anëtarë i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje.

Hyseni, thotë se, qeveria aktuale por edhe qeverisjet e kaluara nuk kanë përdorur asnjë mjet juridik për ta fajësuar Serbinë për krimet e kryera në Kosovë.

“ Të gjitha qeverisjet e pasluftës, duke përfshirë dhe këtë aktualen nuk kanë bërë asgjë për dokumentimin dhe ndjekjen e krimeve të luftës. Ato nuk kanë përdorur asnjë mjet juridik për ta fajësuar Serbinë për dëmin e kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë. Instituti për Krime Lufte, i themeluar gjatë qeverisjes së kaluar nuk ka njoftuar për ndonjë rezultat në këtë drejtim. Kjo është përtej papërgjegjësisë. Për vetëm 15 muaj në Kosovë u vranë rreth 14 mijë persona, u dhunuan 20.400 gra dhe vajza shqiptare, 128.000 mijë shtëpi e mbi 360 objekte shkollore u dëmtuan tërësisht, rreth 900 mijë shqiptarë u dëbuan dhunshëm për të vazhduar me shkurtin e vitit 2000 ku u vranë 11 persona dhe u dëbuan 11.364 shqiptarë nga shtëpitë e tyre në Mitrovicë”, thotë ai.

Sipas Hysenit, Qeveria e Kosovës, po formon Gjykatën Speciale që do ta njollosë luftën e UÇK-së, në vend të fajësimit të Serbisë për krimet e kryera.
“E në vend të fajësimit të Serbisë për të gjitha këto krime dhe ndjekjes së saj në të gjitha format, qeverisja aktuale po përgatit terrenin për Gjykatën Speciale e cila do të njollosë luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thekson Hyseni për “Bota sot”.
Ndërkaq, Nora Ahmetaj nga Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim, thotë se shteti i Kosovës nuk mund ta padis Serbinë, për shkak se nuk është i pranuar në shumë mekanizma ndërkombëtarë. Ndërsa, thekson se një gjë të tillë mund ta bëjnë qytetarët individualisht.

“Për tu paditur Serbia në çfarëdo gjykate ndërkombëtare, atë mund ta bëjnë vetëm qytetarët e Kosovës si individë por jo shteti dhe institucionet e Kosovës (ngase nuk është i pranuar në shumë mekanizma ndërkombëtare (kjo temë kërkon elaborim të veçante). Qytetaret atë mund ta bëjnë në atë mënyrë që ngritin padi së pari në instancat më të ulëta të gjyqësorit në Serbi dhe shtjerrin të gjitha mundësitë legale brenda sistemit Serb të drejtësisë. Në momentin që ata përgjigjen vetëm negativisht, atëherë mund të paditet Serbia në gjykatën evropiane për të drejtat e njeriut”, potencon Ahmetaj.

Për me tepër, Ahmetaj thotë se, tash e 16 vite ne kemi institucione shume jo serioze dhe jo mirë të etabluara të cilat nuk kanë qenë në gjendje as të mbledhin materialet, apo të hulumtojnë krimet dhe dëmet materiale.
“Me deklarata paushallë nuk paditet shteti tjetër...duhet dokumentim i mirëfillte, arkiva të mbushura me materiale, si dhe një grup serioz i prokurorëve të ciëet do të dinin se si ta përgatisnin një padi nëse do duhej të paditej shteti tjetër”, shprehet ajo.

Sipas saj, Kroacia punon në këtë fushë tash e 20 vite dhe përdorë gjithë mekanizmat edhe nacionale edhe ata ndërkombëtare për ta paditë dhe vetëdijesuar Serbinë për të kaluarën.

Nora Ahmetaj, thotë, se do të duhej të ishte një lider i papërshkrueshëm vizionar dhe i cili shikon përtej politikes ditore në mënyrë që të kërkonte falje për të bëmat e regjimit Millosheviqian në Kosove.

“Ndërkohë që Serbia do duhej të kërkojë falje, por duke marre parasysh situatën, luftën e Kosovës, bombardimet e NATO-s, pavarësinë e Kosovës..Serbët e kanë shumë të vështirë të përpijnë një 'humbje te tille' dhe do tu duhet shume kohe për të marre veten dhe rezonuar kthjellet rreth se kaluarës. Do të duhej të ishte një lider i papërshkrueshëm vizionar dhe i cili shikon përtej politikes ditore në mënyrë që të kërkonte falje për të bëmat e regjimit Millosheviqian në Kosove. Aso lideri nuk ka dalë ende, jo vetëm ne Serbi por as në Ballkan”, përfundon ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat