Si funksionon dera e sigurisë në avion? (Foto)

Lajme

Si funksionon dera e sigurisë në avion? (Foto)

Më: 27 mars 2015 Në ora: 08:20

Pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në të gjithë avionët e pasagjerëve u vendosën dyer të reja në kabinön e pilotit, të sigurta nga thyerja. Zakonisht ato janë të ndërtuara në atë mënyrë, saqë edhe në raste emergjente mund të hapen nga ekipazhi, apo një pilot, që ndodhet jashtë kabinës, vetëm me anë të kodit numerik. Një video e Airbus-it e vitit 2012, para pak pas sulmeve në World Trade Center në New York, shpjegon funksionin e dyerve të reja.
Një zëdhënëse e Airbus-it, e pyetur nga Deutsche Welle, konfirmoi vërtetësinë e videos. Por ajo theksoi se Airbus-i nuk mund të komentojë rolin e derës së kabinës në rastin e aksidentit tragjik të Germanwings-it, meqenëse hetimet vazhdojnë ende dhe Airbus nuk dëshiron të përfshihet në spekullime.

Bllokimi elektronik i derës me kod hyrjeje

Pozicionet "norm", "lock", dhe "unlock" të derës në cockpit

I gjithë sistemi i derës përbëhet prej pesë komponentësh kryesorë. Së pari, ka një derë, që është në fakt e sigurtë nga goditjet dhe të shtënat e plumbit, e bllokuar trefish në mënyrë elektronike. Përmes një syri magjik pilotët mund të shohin jashtë. Përveç kësaj në kabinë shpesh ka edhe videokamera, përmes të cilave pilotët mund të vrojtojnë nga kabina, se çfarë ndodh në zonën e pasagjerëve dhe para derës. Së dyti, pilotët kanë para vetës në panelin e kontrollit një buton me tre pozicione: "norm", "lock", dhe "unlock". Në këtë mënyrë ata kontrollojnë derën. Së treti, në kabinë është një tastaturë me numra dhe dy llampa: të kuqe dhe të gjelbër, si dhe një telefon, me anë të të cilit ekipazhi mund të flasë me pilotin. Së katërti, në kabinën e pilotit ka një sirenë, që mund të shërbejë edhe si zile, edhe si alarm, dhe së pesti, një sensor presioni, që reagon ndaj ndryshimit të presionit në kabinön e pilotit.

Mbrojtja e pilotit nga hyrjet prej jashtë

Zakonisht të dy pilotët janë në kabinën e pilotit dhe dera është e mbyllur. Në këtë gjendje ajo nuk mund të hapet nga jashtë, sepse nuk ka dorezë dere. Butoni ndodhet në "norm", që do të thotë, tri bulonat shtesë për bllokimin e derës nuk janë të aktivizuar. Nëse në kabinën e pilotit dëshiron të hyjë një stjuardese, ajo i telefonon fillimisht kapitenit dhe pastaj shtyp butonin e ziles në panelin e kontrollit. Piloti e kalon pastaj çelësin në "unlock" dhe stjuardesja mund të hyjë. Sapo mbyllet dera, vendoset sërish gjendja normale.

Nëqoftëse dikush do të përpiqej të hynte në cockpit, pa njoftuar më parë me telefon, si për shembull duke trokitur, apo duke i rënë fort derës, pilotët duhet të fillojnë të dyshojnë. Atëherë ata do ta kalonin butonin në "lock", duke mbyllur të tri bravat shtesë. Kështu ata mund të jenë të sigurtë se dera mbetet e bllokuar, edhe nëse dikush do të përpiqet me forcë brutale, ta shpërthejë derën.

Hyrja tek pilotët në raste urgjente

Përmes syrit magjik pilotët mund të shohin jashtë

Por ka edhe raste, kur dera duhet të hapet nga ekipazhi, si për shembull për t'i dhënë pilotëve ndihmën e parë. Kjo mund të jetë në rast të një helmimi nga gazi, nëse të dy pilotëve u ka rënë të fikët dhe nuk reagojnë më ndaj pyetjeve të personelit. Në këtë rast ekipazhi ka një kod hyrjeje. Kur kodi jepet në panelin e kontrollit, në kabinën e pilotit dëgjohet një sinjal alarmi dhe pranë butonit për derën ndriçon e shkruar "open". Nëse pilotët nuk reagojnë, dera shbllokohet automatikisht pas 30 sekondash për pesë sekonda. Në këtë kohë mund të hyjë stjuardesja për të dhënë ndihmën e parë.

Nëse pilotët nuk e kanë humbur vetëdijen dhe kanë dyshim se dikush mund ta ketë marrë ilegalisht kodin e hyrjes në në kabinën e pilotit, ata kanë ende kohë ta kalojnë butonin në pozicionin "lock". Pastaj dera mbetet gjithsesi për pesë minuta e bllokuar. Ky skenar do të përfytyrohej, sikur terroristët të torturonin ekipazhin për t'i detyruar që të tregojnë kodin. Ka edhe një skenar tjetër, kur dera hapet pa bërë asgjë pilotët. Nëse sensori në tavanin e kabinës lajmëron një rënie të presionit në kabinën e pilotit. Por edhe në këtë rast vlen kjo: Nëse butoni i derës është një herë në "lock", edhe atëherë dera mbetet e bllokuar për pesë minuta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat