Shqiptarët e Medvegjës më të bashkuar se kurrë më parë

Lajme

Shqiptarët e Medvegjës më të bashkuar se kurrë më parë

Më: 26 mars 2015 Në ora: 21:30

Temë kryesore e këtij takimi vëllazëror ishte situata aktuale në Medvegjë dhe çka duhet të bëhet sa më shpejt që të mos largohen edhe ata pak banorë.

Sot, sekretari i Shoqatës Humanitare «Medvegja», me qendrën e saj në Fully të Zvicrës, z. Fadil Selmani, i shoqëruar nga prof. Rexhep Abazi, kryetar i Degës së UDSH-së për Medvegjë; prof. Hamdi Halimi, Fehmi Beha, kryetar i Degës së PVD-së për Medvegjë, janë takuar me zëvendëskryetarin e Komunës së Medvegjës, z. Florim Sahiti. Gjatë këtij takimi, ata kanë biseduar në lidhje me disa vizita që kohëve të fundit i janë bërë Medvegjës nga faktori ndërkombëtar dhe ai i Kosovës, si dhe për tema të tjera aktuale me rëndësi.

Do të tejkalohet çdo situatë dhe çdo sfidë

Gjithashtu, z. Selmani, i cili para ca ditësh është kthyer nga Amerika, ku ishte me Kryesinë e Shoqatës dhe disa veprimtarë të tjerë medvegjas, e njoftoi z. Sahiti dhe të pranishmit për shumë takime të rëndësishme që i kanë pasur atje me miq amerikanë dhe me veprimtarë shqiptaro-amerikanë. Temë kryesore e këtij takimi vëllazëror ishte situata aktuale në Medvegjë dhe çka duhet të bëhet sa më shpejt që të mos largohen edhe ata pak banorë që kanë mbetur dhe tema të tjera në interes të Medvegjës. Zoti Selmani u ndal edhe rreth organizimit të manifestimit «Takimet e Vendlindjes» që po afrohet, në të cilin ata duhet të jenë unikë ndërmjet tyre dhe të dilet siç është më së miri me organizim.

Të bashkuar jemi më të fortë

Gjendja e vështirë në Medvegjë në të gjitha drejtimet kërkon sa më shpejt që të bëhet më mirë atje dhe të ruhet fryma shqiptare, sepse rreziku po shihet, që kjo tokë dardane të mbetet pa shqiptarë. Bashkërisht është vendosur që të punohet më shumë, që të jemi më të bashkuar, sepse asnjëherë sikur se sot Medvegja dhe medvegjasit nuk kanë pasur më shumë miq. Zoti Selmani i përcolli edhe përshëndetjet e Kryesisë së Shoqatës dhe të anëtarëve të saj se Diaspora shqiptare po i përcjell me vëmendje proceset nëpër të cilat po kalon Medvegja. Asnjëherë, nuk do të shiten pronat tona dhe besojmë shumë se nuk është larg dita kur Medvegja do të jetë ashtu siç e dëshirojmë të gjithë. Proceset e kohës kërkojnë bashkim edhe më të fortë, që të mos na gjykojë e ardhmja.

Faktori ndërkombëtar, i domosdoshëm

Nga ky takim doli përfundimi i vetëm – që faktori ndërkombëtar të jetë më afër Medvegjës dhe medvegjasve, por edhe faktori shqiptar në Shqipëri e Kosovë, me qëllim që të mos bëhet vonë, që pastaj në këtë tokë dardane të mos mbetet asnjë shqiptar. Biseda ishte vëllazërore, ashtu siç e kanë zakon medvegjasit dhe në fund u ndanë të kënaqur me unifikimin e gjithëve, qoftë në Medvegjë, në Kosovë dhe në Diasporë. Zoti Selmani ka disa ditë që po qëndron në Medvegjë dhe në Kosovë, për ta analizuar mundësinë që «Takimet e Vendlindjes» të kalojnë siç është më së miri. Pritet gjithashtu që në këtë manifestim të marrin pjesë dhe shumë mërgimtarë, por edhe një numër i madh i miqve tanë nga e gjithë shqiptaria, por të ftuar do të ketë edhe miq ndërkombëtarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat