Ipeshkvët e Bavarisë, pro azilkërkuesve shqiptarë: Një “Plan Marshall” për Kosovën

Lajme

Ipeshkvët e Bavarisë, pro azilkërkuesve shqiptarë: Një “Plan Marshall” për Kosovën

Më: 6 mars 2015 Në ora: 23:38

Për të kthyer më shpejtë azilkërkuesit, Landi i Bavarisë planifikon klasifikimin e Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi si "vende të sigurta origjine"

Në Bavari qeverisë CSU, Partia Kristian-Sociale. Kjo qeveri ka paraqitur të premten këtë kërkesë. Me një vendim të tillë, autoritetet kanë mundësi që t’i refuzojnë aplikimet dhe t’i kthejnë azilkërkeusit përmes procedurave të përshpejtuara.

Kërkesa e bavarezëve argumentohet me pretendimin se numri i azilkërkuesve nga këto tre vende të Ballkanit është rritur vrullshëm dhe se aplikimet për azil duhet të refuzohen si të paargumentuara. Nisma ligjore e Bavarisë iu dorëzua komisioneve përkatëse në dhomën e përfaqësimit të landeve.

Pas shpalljes së vendeve tjera të Ballkanit si “vende të sigurta”, ishin rritur kërkesat që në këtë kategori të futen edhe Kosova, Shqipëria e Mali i Zi, por e majta në nivel federal dhe në lande i kishte kundërshtuar këto kërkesa

Kjo nismë fitoi shtysë të re në valën e debatit të ndezur aktualisht në sfondin e dyndjes së madhe të azilkërkuesve nga Kosova, që nga fillimi i vitit. Pasi federata u përpoq ta frenojë përmes formave të ndryshme këtë dyndje, aktualisht numri i azilkërkuesve nga Kkosova ka nisur të bie.

Ndërkohë ipeshkvët katolikë në Bavari janë shprehur kundër nismës për ta shpallur Kosovën si vend të sigurt origjine.

“Gjendja ekonomike e njerëzve në këtë vend është katastrofale, e paqëndrueshme”, thuhet në deklaratën të Konferencës së Ipeshkëve në Freising të publikuar ditën e enjte në kuadër të asamblesë së pranverës, që i zhvilloi punimet në Munih.

Ipeshkvët i bënë thirrje BE-së, të ndihmojë në ndërtimin e strukturave ekonomike dhe sociale të shtetit në Kosovë. Kryetari i Konferencës së ipeshkëve gjermanë, kardinali i Munihut Reinhard Marx propozoi një lloj “Plani Marshall” për Kosovën. Në këtë mënyrë, sipas tyre, mund t’ju ndihmohet njerëzve që ata të mund të qëndrojnë në këtë vend.

Marx vuri në dukje se ipeshkvët nuk e konsiderojnë me vend rregulloren, që refugjatët të kthehen në një shtet të deklaruar si “vend i sigurt origjine”. Ata bëjnë thirrje që të ruhet rregullorja për shqyrtimin individualisht të çdo kërkese për azil.

Më tej Marx u shpreh që të gjithë refugjatëve në Bavari t’ju mundësohet një konsulencë për azilin, e cila në pjesën më të madhe do të jetë në përgjegjësinë e kishës. Ndonëse shteti i lirë i Bavarisë, ndërkohë ka marrë përsipër pjesën më të madhe të kostove, ipeshvët duan që në bisedime me përgjegjësit nga politika të insistojnë për kushte më të mira.

Ministri i shtetit pranë kancelarisë së Bavarisë, Marcel Huber, theksoi një ditë më parë se nuk duhet të vazhdojë të tolerohet "abuzimi në masë me të drejtën e azilit".

"E drejta jonë e azilit nuk është konceptuar për të zgjidhur problemet ekonomike në vendet e origjinës”, tha ai. “Është edhe në interesin e Kosovës që shtresa e mesme produktive e shoqërisë të qëndrojë në vend”.

Vetëm mes fundit të dhjetorit 2014 dhe mesit të shkurtit 2015, në Gjermani kanë paraqitur kërkesë për azil 25 mijë persona. Kuota e njohjes është jashtëzakonisht e ulët. Sipas Huberit, ata që aplikojnë me pa të drejtë për azil u cenojnë bazën atyre që “vërtetë kanë nevojë për mbrojtje dhe ndihma”.

“Abuzimi me këtë të drejtë rrezikon edhe gatishmërinë në popull për t’ju ndihmuar refugjatëve nga luftërat civile”, tha ai. /DW/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat