Akademi për Adem Jasharin, mungoi presidentja, kryeministri dhe liderët e partive

Lajme

Akademi për Adem Jasharin, mungoi presidentja, kryeministri dhe liderët e partive

Më: 6 mars 2015 Në ora: 20:18

Në vazhdën e manifestimit tradicional të Epopesë së lavdishme të UÇK-së, sot në orët e mbrëmjes në Prishtinë është mbajtur akademi përkujtimore kushtuar Komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve dhe të rënëve tjerë për Liri.

Në këtë akademi përkujtimore kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve të vendit, ish- luftëtarë të UÇK-së, familje të dëshmorëve, por të pranishëm nuk ishin as presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, as Kryeministri, Isa Mustafa e as liderët e subjekteve politike.

Në emër të familjes Jashari ka folur, Rifat Jashari. Ishte i shkurtër në fjalim.

Jashari: Lavdia dhe nderi çoftë mbi gjithë ata që dhanë jetën për pavarësinë e Kosovës

“ Ja pasi mu dha fjala ju përshëndes përzemërsisht të gjithë juve këtu gjithë shqiptarët kudo që janë jashtë dhe brenda Kosovës. Ju faleminderit për pjesëmarrje lavdia dhe nderi coftë mbi gjithë ata bijë e bija që derdhën gjakun e njomë për liri dhe pavarësinë e Kosovës të cilin e gëzojmë ne sot”, tha Jashari.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka rikujtuar kohën e 17 viteve më parë, sakrificën e familjes Jasharit, atëherë kur forcat serbe ishin nisur rrugës së vjetër për të hyrë në Prekaz, andej, siç tha Veseli kur ishin nisur dikur për të shtypur lëvizjen e Azem Galicës, pastaj kryengritjen e Shaban Polluzhës dhe për të vrarë Tahir Mehën.

Veseli tha se sërish kjo rrugë po i shpinte në Prekaz ku urdhrin e kishin të prerë se Adem Jashari duhet të eliminohej dhe Prekazi dhe lagjja Jashari të shndërrohej në tokë të djegur, kurse qëllimi final i tyre ishte të shuhej UCK-ja nga rrënjët që shqiptarët ta harronin përgjithmonë idenë se mund të fitonin lirinë ndonjëherë.

Por, Veseli tha se atë ditë në Prekazin e Adem Jasharit po fillonte një epokë e re, ajo e çlirimit përfundimtar të Kosovës.

Veseli shtoi se Adem Jashari e kishte kuptuar më mirë se të gjithë se çfarë kërkonte momenti historik, ku ai e dëgjoi thirrjen e historisë se Kosova nuk mund të mbyllte shekullin 20 duke qenë e robëruar dhe se liria nuk mund të shtyhej për më vonë e që shekulli i ri duhet ti gjente shqiptarët e Kosovës të lirë si gjithë popujt e tjerë të Evropës që po linin pas një shekull të përgjakshëm e plot vuajtje.

Veseli: Sot ne kemi për detyrë ta ruajmë këtë vepër të madhe të popullit të Kosovës

“ Sot Kosova është e lirë, shtet i pavarur dhe sovran në themelet e tij është mundi dhe gjaku i Adem Jasharit, i lagjes martire të Jasharajve dhe mijëra dëshmorëve e martirëve anekënd Kosovës. Sot ne kemi për detyrë ta ruajmë, ta forcojmë dhe zhvillojmë këtë vepër të madhe të popullit të Kosovës”, theksoi Veseli

Ndërkaq, ministri i FSK-së, Haki Demolli tha se me rezistencën mitike të familjes Jashari në krye me komandantin legjendar Adem Jashari në tërë Kosovën e robëruar u përhap jehona e rezistencës e luftës për liri.

Ai tha se rezistenca mbinjerëzore dhe rënia heroike e gjithë familjes Jashari e shpërndau zjarrin e lirisë në tërë Kosovën duke dridhur kambanat e lirisë në gjitha trojet shqiptare

Demolli: Rënia heroike e gjithë familjes Jashari e shpërndau zjarrin e lirisë në tërë Kosovën

“Lufta rezistenca dhe rënia heroike e familjes Jashari paraqet një sakrificë dhe një flijim të pashembullt për lirinë e kombit dhe atdheut, çfarë historia jonë kombëtare por as ajo botërore as nuk kishte parë e as dëgjuar kurrë më parë”, tha Demolli.

Ai tha se kjo luftë heroike e një familje patriotike shërbeu si një frymëzim epik për mobilizimin e tërë popullit të Kosovës dhe diasporës tonë për tu bashkërenditur në luftë për çlirimin e vendit.

Ndryshe, për t’iu përkulur veprës madhore të komandantit legjendar Adem Jasharit dhe gjithë dëshmorëve të kombit që ranë për lirinë e vendit është mbajtur një minutë heshtje, kurse në fund është shfaqur edhe një pikë artistike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat