Kryediplomatja Mogherini rithekson rëndësinë e përmirësimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Lajme

Kryediplomatja Mogherini rithekson rëndësinë e përmirësimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Më: 5 mars 2015 Në ora: 20:03

HELSINKI, 5.3.2015 (Gazetarja L. Verdha) - Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Federika Mogerini (Federica Mogherini) ritheksoi sot këtu se nënshkrimi kohët e fundit (10.2.2015) nga Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë (Mustafa dhe Vuçiç) i Marrëveshjes për Gjyqësorin është tregues i hapave pozitive që po merren midis këtyre dy vendeve fqinje në Ballkan.

Takimi me temë "Europa - ndërtuese e paqes", organizuar sot pasdite këtu, ishte një prej pikave të Programit zyrtar të vizitës 2-ditore të kryediplomates europiane në kryeqytetin e Finlandës. Mogherini foli për mjaft çështje të politikës së jashtme të Bashkimit Europian, duke e vënë theksin tek marrëdhëniet me fqinjët si dhe tek kontributi i BE-së në zonat e konfliktit gjeografikisht të afërta me të.

Në Takimin që sapo përfundoi morën pjesë përfaqësues të shoqërisë civile, diplomatë dhe akademikë. Paneli u drejtua nga Ministri i Jashtëm i Finlandës Erkki Tuomioja. Në fund të Takimit organizatorët në shenjë falenderimi i dhuruan Mogherinit një penë "për nënshkrime në interes të paqes", si kundërvënie ndaj "shpatës", që simbolizon luftën.

Nesër Mogherini do të marrë pjesë në Mbledhjen jo-zyrtare të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian në Rigë (Letoni).

Deklaratat e Mogherinit mund të dëgjohen të plota anglisht në linkun:
http://new.livestream.com/muunne/eurooppa-rauhan-rakentajana

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat