Gjosha: Shqipëria dhe Kosova duhet të ecin bashkë në rrugën e integrimit

Lajme

Gjosha: Shqipëria dhe Kosova duhet të ecin bashkë në rrugën e integrimit

Më: 5 mars 2015 Në ora: 19:55

Ministrja e integrimit Europian, Klajda Gjosha, priti sot në një takim një grup studentësh nga Kosova, të cilët kishin shprehur interes për t’u njohur nga afër me punën që kryhet në këtë institucion dhe zbatimin në praktikë të gjithë rolit koordinues që ka MIE.

Ministrja Gjosha përshëndeti këtë vizitë, duke theksuar se Shqipëria dhe Kosova janë bashkë në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të arritur sa më shpejt në këtë destinacion.

“Kjo do të realizohet vetëm nëpërmjet reformave dhe transformimit të shoqërive tona, ndaj është me shumë rëndësi që ju, rinia, të merrni në dorë frenat e këtij procesi të rëndësishëm. Kontributi juaj është i domosdoshëm, pasi pa të do të ishte e pamundur për çdo qeveri që ai të finalizohej”, tha Ministrja Gjosha.

Gjatë takimit, Ministrja nënvizoi se të gjitha vendet e rajonit duhet ta shohin integrimin jo si një proces të ndarë që i përket vetëm vendeve të tyre, por si një proces i cili mund të realizohet më lehtësisht dhe më me efektivitet nëse të gjitha këto vende bëhen pjesë e projekteve të përbashkëta dhe thellojnë bashkëpunimin.

“Për ne Evropa është e paplotë pa Ballkanin Perëndimor, pa Shqipërinë, pa Kosovën apo dhe të gjithë vendet e tjera aspirante, ndaj jam e bindur se duke u bërë bashkë, duke nxitur nisma që i shërbejnë zhvillimit të secilit nga vendeve tona, ne mund të integrohemi më shpejt”, tha Ministrja Gjosha.

Pas takimit me Ministren, studentët nga Kosova, vizituan Drejtoritë e Ministrisë së Integrimit Europian, ku u njohën më nga afër me punën që bën gjithsecila.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat