AKP ka liruar 175 asete nga uzurpatorët

Lajme

AKP ka liruar 175 asete nga uzurpatorët

Më: 5 mars 2015 Në ora: 14:44

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka liruar nga posedimet/përdorimet e jashtëligjshme 175 asete të ndërmarrjeve shoqërore

'Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) njofton opinionin publik mbi rezultatet e lirimit të aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore nga poseduesit dhe shfrytëzuesit e paligjshëm që nga marrja e vendimit për lirimin e tyre me datë 21 nëntor 2014.

Agjencia, duke marrë në konsideratë pengesat e njëpasnjëshme që kanë paraqitur uzurpatorët para dhe gjatë procesit të shitjes, nxori vendimin për lirimin e aseteve nga shfrytëzuesit e jolegal, në mënyrë që të gjitha asetet që do të publikohen për shitje, paraprakisht të lirohen nga uzurpatorët me ndihmën e policisë së Kosovës sipas nenit 26 të ligjit të AKP-së dhe se asnjë kontratë nuk do të përfundohet/dorëzohet te blerësi pa u liruar aseti nga uzurpatorët.

Që nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, Agjencia ka liruar nga posedimet/përdorimet e jashtëligjshme 175 asete të ndërmarrjeve shoqërore. Lirimi i aseteve përbën një prej lajmeve dobiprurëse në të mirë të investitorëve dhe në përmirësimin e pasqyrimit të Kosovës ndaj investitorëve të huaj.

AKP i njofton të gjithë investitorët se të gjitha asetet që do të tenderohen në të ardhmen për privatizim apo shitje përmes likuidimit do të jenë të lira nga çdo shfrytëzues i paligjshëm, ndërsa nënshkrimi i kontratave me blerësit dhe dorëzimi i kontratave te blerësit do të bëhet vetëm pasi asetet të jenë të liruara paraprakisht nga shfrytëzuesit e jashtëligjshëm.
Agjencia do të jetë e përkushtuar që të lirojë çdo aset të ndërmarrjeve shoqërore nga shfrytëzuesit jolegal në gjithë territorin e Kosovës në përputhje me mandatin ligjor të dhënë me ligjin e nxjerrë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës', thuhet në njoftim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat