Rrëfimi i mjekëve për luftën dhe UÇK-në

Lajme

Rrëfimi i mjekëve për luftën dhe UÇK-në

Më: 5 mars 2015 Në ora: 11:32

Shumë herë përballeshin me mungesë të mjeteve teknike. Kapacitetet si në anën e personelit, ashtu edhe në atë të logjistikës ishin jashtëzakonisht të limituara. Përballeshin me mungesën e vendeve ku mund t'i strehonin pjesëtarët e plagosur të UÇK-së. Detyroheshin që nëpër male, të mbështjellur me ndonjë batanije, të mbronin ushtarët e UÇK-së, që shumë herë ishin në gjendje kritike shëndetësore. Megjithatë, ani pse në kushte të rënda, arritën të shpëtonin qindra jetë të ushtarëve, ku pas trajtimit që iu bënin, ata arrinin të ktheheshin përsëri në front për të mbrojtur vendin nga okupatori serb. Madje, arritën të krijonin edhe ambulanta mjekësore, ani pse modeste e me pak shtretër, aty arrinin të gjenin strehë shumë prej ushtarëve të UÇK-së.

Fadil Beka e Naim Bardiqi janë dy nga mjekët që shërbyen gjatë luftës së fundit në Kosovë. Para kamerës së KosovaPress-it, ata rrëfejnë për gjithë atë sfidë nëpër të cilën kaluan duke qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 28 shkurt të vitit 1998, u ballafaquan në Likoshan UÇK-ja dhe forcat paramilitare serbe. Aty edhe u plagosën tre nga pjesëtarët e UÇK-së, Sabit Geci, Sabit Lladrovci dhe Musa Jashari. Ani pse aty iu dha ndihma e parë në terren, u vendos që ata të trajtoheshin diku në fshatin Ticë. E aty edhe u hap ambulanta e parë e UÇK-së. Në odën e doktorit Fadil Beka.

Prej 28 shkurtit e deri në fillim të prillit, kjo ishte pika kyqe sa i përketë shëndetësisë. E pastaj nga fillimi i prillit është vendosë një ambulantë tjetër në qendër të fshatit Likofc, në të cilën kishte edhe shtretër. Më tutje, duke parë se lufta po masivizohej, u shtua nevoja e një vendi i cili do të kishte edhe një sallë operacioni. Me 27 prill të 98-ës, është bërë edhe operacioni i parë me anestezion të përgjithshëm, ku edhe u operua Mujë Krasniqi.

Megjithatë, ambulanta e parë mjekësore e UÇK-së, është ajo që çdo herë mbetet e veçantë në kujtesën e secilit. Doktori Fadil Beka, rrëfen për vizitën e komandantit Adem Jashari, 16 vite më parë në odën e tij që shërbente si ambulantë.

Beka: Kishte qëndrim të një komandanti të vërtetë

"Komandanti Adem Jashari ka qenë i fjalë pak. Atë natë nuk ka qenë sikurse jemi mësuar ta shohim nëpër disa fotografi të mëhershme, do të thotë ka qenë pa mjekërr, ka qenë me flokë të prera, me uniformë sikur të ushtrisë amerikane, do të thotë me tipare të një komandanti të vërtetë. Mes të tjerash, ajo çka më ka lënë përshtypje, është se komandanti ka pas një qëndrim të një komandanti të vërtetë, ka qenë shumë i vendosur në atë çka e ka thënë, dhe shumë i bindur në fitoren e popullit tonë. Bile, në një moment thotë, derisa policia e ushtria serbe e gjejnë kurajon, e gjejnë motivin me ardhë me luftu për këtë tokë, të cilën edhe ata e dijnë se nuk kanë fare hise në këtë tokë, atëherë ne kemi shumëfish vullnet e motiv për me mbrojtë pragun e shtëpisë, për me e mbrojtë tokën tonë, për me e mbrojtë vendin tonë", thotë ai.

Ai tregon se komandanti çdo herë ka shpreh interesim të madh për të plagosurit.

Fadil Beka rrëfen momentet e vështira, që për të, janë ato kur nuk kanë pas mundësi të ofrojnë ndihmën e duhur për ushtarët.

Beka: Arritëm të sigurojmë një sallë operacioni

"Ne kemi arritë që ta sigurojmë një sallë të operacionit, ku aty janë kryer me qindra interventime, me anestezion të përgjithshëm është fjala, dhe krejt ajo ka bërë që një pjesë dërrmuese e tyre të kthehen të vija të frontit", thotë ai.

E ata që përballeshin me vështirësi ende më të mëdha, ishin mjekët fushor. Mjekimi në terren e rëndonte edhe më shumë punën e mjekut. Sfidë e madhe për ta ishte pastrimi i plagëve e qepja e tyre. Gjithmonë, duke u përballur me mungesa të shumta. Shumica e plagëve rrezikonin të infektoheshin sepse nuk kishte shumë mjete.

Naim Bardiqi, asokohe vetëm 27 vjeçar, në maj të vitit 98 vendosi të kthehej nga Gjermania dhe t'i bashkohet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dinamika e luftës nuk e priti derisa të arrinte në Kosovë. Ai u ballafaqua me forcat serbe qysh me të arritur në kufi.

Bardiqi: Ka qenë një prej momenteve më sfiduese

"Qysh në hyrje në kufi, ne, një grup prej 100 vetash, jemi ballafaquar me rënien në pritë, me numër të madh te të plagosurve dhe me të vrarë nga ana jonë. Ka qenë një prej momenteve më sfiduese dhe praktika më e rëndë e jetës sime, ballafaqimi i drejtpërdrejtë pas disa orëve që i jam bashkangjitur UÇK-së", thotë ai.

Përvojat nëpër të cilat ka kaluar, e ka të vështirë t'i përmbledhë me disa tregime. Por atë të cilën e quan tejet të rëndë, është ofenziva e shtatorit. Aty u përballën me një numër mjaftë të madh te të plagosurve rëndë.

Bardiqi: Jemi ballafaquar me mungesë të strehimit

"Përvojë tjetër e rëndë është, me fillimin e bombardimeve, ku edhe aty përveç që jemi ballafaquar me mungesën teknike mjekësore, një mungesë e madhe ka qenë edhe mundësia ose pamundësia për të gjetur një strehim, për shembull për të plagosurit, shumicën e kohës është dashtë që nëpër përrocka, thjeshtë nëpër male, me llastik ose me qebe, ose me diçka të thjeshtë, t'i mbulojmë dhe t'i mbrojmë ata prej shiut e prej bore, çkado që të jetë", thotë ai.

Bardiqi rrëfen kurajon që kanë pas pjesëtarët e UÇK-së.

Bardiqi: Në disa situata kemi menduar se nuk do të mbijetojmë

"Kemi pas situata vërtetë ku shumica kemi menduar se nuk do të ia dalim, nuk do e zbardhim ditën tjetër. Kështu që kur e marr në përgjegjësi sot dhe e mendoj para 16 vjetëve, mund të them që inkurajimi i njëri tjetrit, vullneti i madh për lirinë tonë, e ka mbajtë moralin dhe shpresën tek secili ushtar, por edhe tek civilë që në shumicën e rasteve, 90 për qind të rasteve, na kanë mbështetur në luftën tonë të drejtë”, thotë ai.

Naim Bardiqi, pas ofenzivës së shtatorit u emërua shef i sanitetit të brigadës 114. Kohën më të madhe e ka kaluar nëpër zonat përgjegjëse të kësaj brigade, por herë herë edhe në pjesë tjera.

Marsin e vitit 99 e kujton si një muaj mjaftë të ngjeshur me ofenziva serbe.

Bardiqi: Janë kujtime jo të mira

"Në përgjithësi janë kujtime jo të mira. Ne në pamundësi të ballafaqimit frontal me forcat serbe ose ballafaqimit kohëshkurtë frontal, na është imponuar luftë guerile, ku jemi ndarë në grupe më të vogla, thjeshtë për të mundur të mbijetojmë, ose të sulmojmë, të bëjmë aq sa kemi, përderia njësiti im i sanitetit normal që ka pas prioritet shëndetin dhe shpëtimin e të plagosurve. Por në përgjithësi është një kohë me kujtime jo të mira ky muaj, ku edhe kemi humbë shumë ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës", thotë ai.

Megjithatë, këta mjekë asnjëherë nuk menduan të tërhiqeshin. Madje punën e tyre, si pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e kujtojnë me shumë krenari e nderë.

Beka: Dita më e lumtur është kur e vesha uniformën e UÇK-së

"Kur e kam veshë uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, se di kur ka qenë ndonjë ditë më e lumtur se ajo. Thash do të mbahet me vete, thash erdh një moment, e kreva specializmin nga kirurgjia që i duhet më së shumti luftës, dhe pata rastin edhe fatin pikërisht në ato momente më të vështira në të cilat po kalonte populli i Kosovës, gjegjësisht UÇK-ja, të isha pranë. Kjo është kënaqësia më e madhe e imja", thotë ai.

E kishin ndjenjën se një ditë Kosova do të jetë vend i lirë nga forcat paramilitare serbe. Edhe pse shpresa e tyre herë-herë zvogëlohej, ajo nuk humbte asnjëherë.

Bardiqi: Kemi shpresuar se me ose pa ne Kosova do të bëhej e lirë

"Të them të drejtën, ne shpresën e kemi pasur se do të vijë një ditë kur Kosova do të lirohet nga forcat serbe. Mirëpo në shumicën e kohës që e kemi kaluar gjatë luftës, ai besim është venitur paksa, por shpresa gjithëherë ka qenë edhe kur bisedonim njëri me tjetrin thonim se me ose pa ne, kjo do të ndodhë", thotë ai.

Mjekët të cilët shërbyen gjatë luftës së fundit në Kosovë, me shumë krenari, por edhe dhimbje, kujtojnë marsin e 98-ës ku Kosova humbi komandantin Adem Jashari dhe familjen historike të tij. Këtë familje e quajnë pasuri të popullit të Kosovës. Sot 16 vite më vonë, marsin e 98-ës e kujtojnë si kohë e cila e ndërroj kahjen e historisë së popullit shqiptarë./Kosovapress

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat