Lazim Destani, pjesëmarrës i një konference mbi migrimin, në Berlin

Lajme

Lazim Destani, pjesëmarrës i një konference mbi migrimin, në Berlin

Më: 5 mars 2015 Në ora: 10:30

Kosova përmes nxitjes aktive të projekteve zhvillimore publike dhe private mund të stimulojë edhe tërheqjen e Fondeve nga Bashkimi Europian. Ndërkaq, vendet me ekonomi të fuqishme si Gjermania, mund të ndihmojnë shumë në këtë drejtim duke siguruar ekspertizë dhe financime me kushte të përballueshme për vendet në zhvillim. Gjermania ka instrument konkret si bankat zhvillimore KFW dhe DEG që janë prezente në rajon me projekte kapitale publiko-private. Kjo do të ishte në përputhje edhe me qëllimet strategjike të BE-së për të mbështetur demokracitë e reja, por edhe me aspiratat e vendit për tu integruar sa më shpejt në Bashkimin Europian, theksoi Lazim Destani.

Institutit Aspen – Gjermani, të mërkurën  në Berlin mbajti një konferencë  me temë: “Largimi i popullatës nga Kosova: Si mund qeveria e Kosovës dhe e Gjermanisë tu përgjigjen kërkesave të popullatës për një të ardhme më të mirë?”

Në këtë Konferencë përpos  Skënder Hysenit – Ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës, Dr. Ernst Reichel – Ambasador, i dërguar special nga Zyra e Jashtme Ferderale për Europën Juglindore, Turqinë dhe vendet e EFTA-s, Dr. Michael Jansen – Udhëheqës i Sektorit MI5, të Migrimit Europian nga Ministria e Brendshme Federale e Gjermanisë, Skënder Xhakaliu – Ambasador i Kosovës në Gjermani, i pranishëm ishte edhe biznsesmeni i njohur nga Tetova me banim në Dysseldorf, Lazim Destani.

Aty kishte edhe  pjesëmarrës tjerë me pozita të ndryshme në qeverinë e Gjermanisë.

Siç kuptohet nga vetë tema, në takim u diskutua rreth çështjes aktuale të largimit të popullatës nga Republika e Kosovës drejt Bashkimit Europian, respektivisht drejt Gjermanisë. Ideja kryesore e konferencës ishte gjetja dhe stimulimi i masave parandaluese të fenomenit të largimit të kësaj popullate që kohëve të fundit ka marrë përmasa alarmante.

Me pikpamjet dhe diskutimet e tyre të gjithë pjesëmarrësit në debat dhanë kontribut të çmueshëm lidhur me preokupimin në fjalë.

Fillimisht z. Skënder Hyseni i bëri një përshkrim të gjerë situatës së krijuar muajve të fundit në Kosovë, duke u fokusuar te largimi i popullatës nga vendi.

Ai mbi të gjitha, si arsye kryesore e nënvizoi gjendjen e rëndë ekonomike në Kosovë dhe zvarritjen e liberalizimit të vizave, gjë që e ka bërë Kosovën vend të vetëm të izoluar në të gjithë gadishullin Ballkanik dhe në Europë.

Në vijim, Dr. Reichel pasiqë elaboroi dukurinë e largimit si rast social për Gjermaninë por johuman dhe të pashpresë për Kosovën, Dr. Jansen dha informacion më të detajuar të problemit të largimit të popullatës kosovare nga aspekti i prespektivës së qeverisë Gjermane, duke e vlerësuar numrin e azilkërkuesve në rreth 20,000 kosovarë. Me këtë shifër Kosova hyn në top 10 vendet e botës si azilkërkues në Gjermani. Duke i cilësuar motivet dhe kërkesat si të natyrës ekonomike, elaboruan që këto forma kërkesash nga azilkërkuesit nuk janë të pranueshme për Gjermaninë.

Nga këndvështrimi i një investitori në Kosovë dhe njohës i rrethanave këtu, në fjalën e tij , Lazim Destani u fokusua në tre aspekte:

– E para, edhepse qeveria e Kosovës ka bërë hapa domethënës, siç është modeli i favorshëm tatimor për investimet e reja, megjithatë investitorët, sidomos të huajt por edhe ata lokal, kanë më shumë pritje në planin e stabilitetit politik dhe mirëqeverisjes. Thënë ndryshe, mendoj se ka hapësirë për përmirësim performanse për sa i përket politikave të qëndrueshme dhe në veçanti, avansimi i sistemit të gjyqësorit, garantimi dhe mbrojtja efikase e pronës së të gjitha kategorive si asaj personale, industriale dhe intelektuale. Pastaj sigurimi i funksionalitetit të mirëfilltë të tregut të lirë dhe artikulimi më i fuqishëm i luftës ndaj korrupsionit. Demonstrimi i funksionalitetit efikas të institutcioneve shtetërore, do të ishte sinjal i fortë për përmirësimin e klimës së biznesit dhe si rrjedhojë do t’i stimulonte investimet nga jashtë. Kjo përnjëherë do ta ndihmonte zhvillimin ekonomik, pra ngritjen e mirëqenies dhe njëkohësisht do t’i parandalonte dukuritë negative, si migrimi masiv, etj.

– E dyta, Kosova përmes nxitjes aktive të projekteve zhvillimore publike dhe private mund të stimulojë edhe tërheqjen e Fondeve nga Bashkimi Europian. Ndërkaq, vendet me ekonomi të fuqishme si Gjermania, mund të ndihmojnë shumë në këtë drejtim duke siguruar ekspertizë dhe financime me kushte të përballueshme për vendet në zhvillim. Gjermania ka instrument konkret si bankat zhvillimore KFW dhe DEG që janë prezente në rajon me projekte kapitale publiko-private. Kjo do të ishte në përputhje edhe me qëllimet strategjike të BE-së për të mbështetur demokracitë e reja, por edhe me aspiratat e vendit për tu integruar sa më shpejt në Bashkimin Europian. BE-ja duhet ta përkrahë Kosovën me Fonde më progresive se të vendeve tjera të rajonit edhe për shkak të ngecjes jo vetëm me fajin e saj në proceset Eurointegruese.

– Dhe e treta, Kosova, me përkrahjen e BE-së, t’i përshpejtojë masat për përmbushjen e kushteve për arritjen e liberalizimit të vizave, pasi kjo, duke iu referuar edhe shembullit me vendet tjera të Ballkanit, do të kishte rezultate pozitive, pra drejtpërsëdrejti do ndikonte në zvogëlimin e përmasave të largimit të popullatës.

Konstatim i përgjithshëm në këtë konferencë ishte se dukuria e largimit të popullatës nga Kosova kryesisht është rezultat i papunësisë dhe ekonomisë së dobët në Kosove. Pra ajo që duhet më së shumti të bëjë qeveria e Kosovës me ndihmën e Bashkimit Europjan dhe Gjermanisë është se si të përmirësohet gjendjen ekonomike në Kosovë, të krijohen kushte pune dhe proseperitet më të mirë të popullatës këtu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat