Vukçeviq: Prokuroria serbe trajton krimin në Mejë të Gjakovë

Lajme

Vukçeviq: Prokuroria serbe trajton krimin në Mejë të Gjakovë

Më: 5 mars 2015 Në ora: 09:51

Prokurori serb i krimeve të luftës Vladimir Vukçeviq ka thënë se edhe institucioni që ai drejton është duke trajtuar krimet e vitit 1999 në Mejë të Gjakovës.

Prokurori serb i krimeve të luftës Vladimir Vukçeviq ka thënë se edhe institucioni që ai drejton është duke trajtuar krimet e vitit 1999 në Mejë të Gjakovës dhe se lidhur me këtë “ka disa njohuri të caktuara për rastin dhe kryerësit eventualë”.

Vukçeviq në një intervistë për numrin e sotëm të “Veçernje Novosti” ka thënë se nuk e di se çfarë dëshmish posedon Eulex-i dhe se mbi çfarë bazash shumë njerëz janë gjendur në listat e kuqe të kërkimit.

Ai ka shtuar edhe se hetimet e deritashme të Prokurorisë serbe nuk e kanë nxjerrë si të dyshuar ish-shefin e Agjencisë Ushtarake të Sigurimit (VBA), gjeneralin Momir Stojanoviq, i cili aktualisht gjendet në krye të Këshillit për Kontroll të Shërbimeve të Sigurimit në Parlamentin serb.

Ndërkaq, shefi i Eulex-it Gabriele Meucci, këto ditë, për gazetën e njëjtë beogradase, ka thënë se për krime lufte në vitin 1999 kundër popullatës civile në territorin e Gjakovës deri tani janë identifikuar rreth 20 persona të dyshuar. Sipas gazetës, ndër të dyshuarit është edhe gjenerali Stojanoviq.

Prokurori serb i krimeve të luftës ka refuzuar që t’i komentojë sulmet ndaj tij nga ana e presidentit serb Tomislav Nikoliq. “Deklaratat e tij nuk dua t’i komentoj, meqë e respektoj institucionin e presidentit, kushdo që të jetë ai”, ka thënë Vukçeviq.

Presidenti serb e ka prositur, mes tjerash, Vukçeviqin, që “të mendohet pak se çfarë është duke rrëmuar nepër Serbi dhe se nuk duhet të jetë “shërbetor i Tribunalit të Hagës, e as dora që nënshkruan dekretet që vijnë nga Haga”. Disa media serbe e akuzojnë Vukçeviqin edhe se është i financuar dhe punon për interesat amerikane./KosovaPress/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat