Kontrabanda me migrantë mbledh vendet e Ballkanit

Lajme

Kontrabanda me migrantë mbledh vendet e Ballkanit

Më: 4 mars 2015 Në ora: 15:39

Përfaqësues nga vende të ndryshme të Ballkanit janë mbledhur sot në një workshop në Tiranë për të diskutuar për forcimin e luftës së trafikimit të qenieve njerëzore në rajonin tonë, dhe për ndalimin e kontrabandimit të emigrantëve.

Elona Gjebrea zëvendës ministre e Brendshme tha se trafikimi dhe migrimi i parregullt janë çështje që shqetësojnë sot gjithë Ballkanin, ndaj dhe së bashku duhen përballuar sfidat dhe duhen gjetur zgjidhje.

"Trafikimi i personave dhe kontrabandimi i migrantëve është një çështje jo vetëm për Shqipërinë por edhe për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, fakt ky që është i lidhur me një seri faktorësh ekonomikë dhe social. Një koordinim më i mirë dhe një qasje më gjithëpërfshirëse është përgjigja e duhur në adresimin e faktorëve që çojnë në trafikimin e personave dhe në kontrabandimin e migrantëve. Në fakt Shqipëria ka pasur një progres të dukshëm në adresimin e çështjeve kundër trafikimit të personave; vetëm gjatë vitit 2014 janë evidentuar nga policia antitrafik 54 raste të reja të trafikimit të personave, duke shënuar një rritje të vazhdueshme të rasteve të trafikimit të identifikuara dhe të hetuara nga strukturat policore antitrafik. Dëshiroj të theksoj se Shqipëria do të vijoj të luaj rolin e një partneri konstruktiv në të gjitha nismat rajonale dhe evropiane,"tha Gjebrea.

Edhe Alma Jani drejtuese e projekti IOM (për Zhvillimin dhe Kapacitetet Menaxhuese të Migracionit) theksoi rëndësinë e kësaj nisme rajonale që synon të evidentojë situatën aktuale në vendet e rajonit sa i përket migrimit të paligjshëm dhe trafikimit të qenieve njerëzore, si dhe të gjejë zgjidhje të përbashkëta.

"Ky takim ekspertësh që zhvillohet sot ndjek vizionin e kësaj platforme për më shumë bashkëpunim rajonal në trajtimin e migracionit të parregullt dhe pasojave të tij. Ai synon të ndërgjegjësojë edhe më shumë punonjësit që punojnë në fushën e migracionit, trafikimit dhe azilit në lidhje me nevojat për më shumë bashkëpunim ndërkufitar dhe rajonal për të trajtuar të gjithë sfidat që hasen në trajtimin e këtyre çështjeve. Unë shpresoj që ky takim, do të shërbejë si një forum për të gjeneruar nisma specifike për menaxhimin e migracionit të parregullt me interes për të gjithë vendet e rajonit dhe për aktorët e përfshirë", tha Jani.

Seminari ku merrnin pjesë edhe përfaqësues nga Kosova, Mal i Zi, Maqedonia e vende të tjera të Ballkanit do të vijojë edhe për dy ditë të tjera ku do të arrihet edhe me konkluzione dhe masa të përbashkëta mes vendeve; për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore dhe kontrabandimin e migrantëve./KP/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat