Në Shqipëri dhe Itali, bazë rekrutimi për militantët e ISIS (Video)

Lajme

Në Shqipëri dhe Itali, bazë rekrutimi për militantët e ISIS (Video)

Më: 4 mars 2015 Në ora: 10:29

Rekrutimi dhe trajnimi i militantëve të ISIS bëhet përmes një baze të organizatës në Shqipëri dhe Itali. Në Shqipëri janë identifikuar qendra trajnimi në të cilat marrin pjesë një qind militantë, të cilët janë në kontakt të vazhdueshëm me personat që lëvizin në Itali dhe në veçanti në Breshia.

Në zonat e Italisë veriore, kjo organizatë synon të rekrutojë kryesisht italianë. Zbulimi u bë pas hetimeve nga autoritetet gjyqësore italiane në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe bëhen edhe më të forta, pas zbulimit të një dokumenti në gjuhën italiane, që dyshohet se i përket ISIS.

Prokurori i Përgjithshëm i Breshias, Luigi Maria Dell’ Osso, tha se nga hetimet ka rezultuar se qendra rekrutimi dhe trajnimi të militantëve të ISIS, ka edhe në Itali.

Duke folur për “Corriere”, prokurori Dell'Osso konfirmon se Shqipëria është identifikuar si bazë për rekrutimin, trajnimin, organizimin dhe integrimin e militantëve, duke qenë në kontakt me persona të tjerë që qëndronin në Brescia.

Gjatë një takimi të mbajtur në Romë disa javë më parë në lidhje me situatën në fjalë, prokurori i Përgjithshëm i Breshias tha: “Ne kemi verifikuar, duke bërë hetime të reja dhe duke i lidhur ato me të dhënat që kishim mbledhur në të kaluarën, dhe rezulton që ka lidhje me vendet e Evropës Lindore pranë nesh siç është Shqipëria”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat