Në Stamboll u sulmuan shqiptarët që po festonin Ditën e Pavarësisë së Kosovës (Video)

Lajme

Në Stamboll u sulmuan shqiptarët që po festonin Ditën e Pavarësisë së Kosovës (Video)

Më: 3 mars 2015 Në ora: 18:53

Në një manifestimin për nderë të përvjetorit të shtatë të pavarësisë së Kosovës të organizuar nga shqiptarët e Turqisë, ndodhi diçka e papritur.

Qindra shqiptarë të mbledhur në një sallë në Stamboll, gjatë kohës sa po festonin të shoqëruar me këngë, u sulmuan nga persona të panjohur.

Ky manifestim i organizuar më 17 shkurt dhe i mundësuar nga komuna Kuçukçekmece e Stambollit u ndërpre ende pa filluar mirë.

Shqiptarët e pranishëm në këtë manifestim u gjetën para një incidenti të papritur, ku një grup prej disa personave po hidhnin gurë në drejtim të sallës ku po mbahej ky aheng, raporton lajmi.net.

Për këtë ngjarje ka shkruar edhe mediumi turk “Haberler”, ku thuhet se për t’i shpërndarë personat e përfshirë në këtë incident, kanë ndërhyrë edhe pjesëtarë të policisë turke të cilët kishin përdorur edhe topa uji.

Sipas këtij mediumi, policia nuk ka dhënë detaje se kush ishin ata persona që organizuan sulmin ndaj shqiptarëve.

Konfirmimin për këtë sulm për lajmi.net e kanë dhënë edhe zyrtarë të Ministrisë së Diasporës.

Zëdhënësi i kësaj ministrie, Lorik Pustina ka thënë për lajmi.net se gjatë këtij manifestimi qendror të organizuar në Stamboll, prezentë ishte dhe vet ministri Valon Murati.

Pustina ka bërë të ditur se gjatë këtij manifestimi ka ndodhur një incident, mirëpo nuk ka dhënë detaje të hollësishme lidhur me ecurinë e ngjarjes, pasi që, sipas tij, ministri Murati kishte lëshuar sallën me të filluar sulmi.

“Ministri i Diasporës Valon Murati dhe delegacioni nga Kosova kanë marr pjesë në manifestimin e organizuar për nderë të përvjetorit të pavarësisë së Kosovës në komunën e Kuçukçekmece. Aty ka ndodhur një incident i cili nuk ka pasur asnjë lidhje me delegacionin të prirë nga ministri”.

Ndonëse në këtë delegacion kishte zyrtarë të lartë të shtetit të Kosovës, përfshirë edhe përfaqësues të konsullatës në Stamboll, këta të fundit nuk kanë marr mundimin që të komunikojnë me zyrtarë të Ministrisë së Brendshme të Turqisë, për të mësuar detaje lidhur me këtë incident.

“Deri më tani nuk kemi informata zyrtare prej Republikës së Turqisë. Me siguri që ambasada jonë se bashku me konsullatën janë në kontakt dhe sapo të kemi diçka zyrtare do t’ju informojmë”.

Një i pranishëm në këtë manifestim, Roni Misolli, në një koment në Facebook ka thënë se incidenti ka nisur në fillim të manifestimit. Ai tregon se grupi i atyre personave që sulmuan të pranishmit e manifestimit, është thënë se kanë qenë kurdë dhe qytetarë të Azerbajxhanit.

“Un isha në atë manifestim dhe çdo gjë filloi normal. Kur ia nisem muzikës e valleve, dëgjuam do zëra që than po na sulmojnë. Ishin mbledh jashtë rreth 200 veta dhe gjuanin me guri. Njëherë në fillim thanë se janë turq, por pastaj than që qenkan kurdë dhe azerë. Më pas u ndal muzika, policia nuk erdhi me orë të tëra dhe neve na mbrojtën shqiptarët që kishin ardh aty me festu dhe prej tyre kishte shumë të plagosur. Në këtë ngjarje ishte planifikuar të këndonin Motrat Mustafa, por ato ishin larguar nga salla dhe koncerti u anulua”, ka thënë Misolli.

>>Klikoni këtu për ta parë videon

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat