Behgjet Pacollit iu nda Urdhri i Lartë “Nderi i Kombit”: Ja çfarë thanë Berisha, Basha dhe Fevziu!

Lajme

Behgjet Pacollit iu nda Urdhri i Lartë “Nderi i Kombit”: Ja çfarë thanë Berisha, Basha dhe Fevziu!

Më: 3 mars 2015 Në ora: 11:37

Më poshtë keni tri deklaratat e Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Blendi Fevziut, me rastin e dekorimit të Behgjet Pacollit nga presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani me Urdhrin e Lartë "Nderi i Kombit".
Sali Berisha: Prita njërin nga personalitetet më të shquar të botës politike dhe afariste, ish Presidentin, ish zëvendëskryeministrin, Behgjet Pacolli. I shpreha kënaqësinë që Presidenti i dha titullin më të lartë, por plotësisht të merituar për kontributin e tij të madh si në problemet e rëndësishme kombëtare, në jetën politike në Kosovë, ashtu dhe si simbol i suksesit shqiptar në biznes, në vende të tjera, por dhe në Kosovë.

Lulzim Basha: Behgjet Pacolli është një mik i përhershëm i Tiranës. Sot është një ditë e veçantë pse Presidenti i Republikës si simbol i unitetit të popullit e ka nderuar atë me titullin “Nder i Kombit”, një vendim që nuk merret lehtë apo përciptazi.

Një vendim që përfaqëson vlerësimin mbarëpopullor të shqiptarëve për figurën e Behgjet Pacollit. Ai ka përfaqësuar për shqiptarët e dalë nga shkretëtira totale e kolektivizimit në fillim të viteve të demokracisë, një dritë shprese. Ai ishte simbol i suksesit, i shqiptarit të suksesshëm, sipërmarrësit të suksesshëm, simbol i gjenisë shqiptare.

Rrugëtimi i tij 25 vjeçar është ndjekur me kërshëri nga të gjithë brezat e shqiptarëve. Tashmë ai nuk është më sipërmarrës i suksesshëm, por një figurë shumë dimensionale - qytetar model për angazhimin e tij publik dhe politik.

U zgjodh president dhe vendosi të dorëhiqet për shkak të interesit kombëtar.

Ai vazhdoi të kontribuonte sikur të ishte president i republikës me të gjitha përgjegjësitë për njohjen e Kosovës, për pranimin e pavarësisë së saj. Sikundër vazhdon të kontribuojë edhe sot për një shoqëri të mundësive, të punësimit.

Një njeri pragmatik, i orientuar nga zgjidhjet dhe jo problemet, nga bashkëpunimi dhe jo konflikti. Të tillë e njohim, e njoh dhe unë si kryetar i bashkisë, si kryetar i opozitës dhe pata nderin t’i jap titullin “Mirënjohja e qytetit të Tiranës”

Blendi Fevziu: Veprat e mëdha shpërblehen një ditë. Kjo dekoratë e lartë është nderimi që Shqipëria duhet t’ia jepte Behgjet Pacollit për atë që ai ka bërë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat