Komisioni Europian, ndërmjetës në sherrin mes Greqisë dhe rivalëve iberikë

Lajme

Komisioni Europian, ndërmjetës në sherrin mes Greqisë dhe rivalëve iberikë

Më: 2 mars 2015 Në ora: 17:41

Komisioni Europian ka pranuar rolin e ndërmjetësit mes Spanjës, Portugalisë dhe Greqisë, pasi qeveritë e gadishullit iberik janë ankuar pas akuzave të ngritura ndaj tyre nga kryeministri grek, Aleksis Tsipras.
Kreu i qeverisë helene tha të shtunën se Spanja dhe Portugalia kishin komplotuar për të rrëzuar qeverinë e tij nga frika e ngritjes së lëvizjeve të ngjashme të majta në vendet e tyre.
Kryeministri spanjoll, Mariano Rahoj, iu kundërpërgjigj Tsiprasit të dielën duke thënë se vendi i tij kishte ndihmuar Greqinë me miliarda euro edhe pse po kalonte edhe vetë një përiudhë të vështirë.
Edhe homologu portuges, Pedro Pasos Koeljo, refuzoi të futej në lojra të tilla, siç i quajti ai akuzat e Tsiprasit, duke këmbëngulur se vendi i tij është përpjekur të luajë një rol sa më pozitiv në debatin për shtyrjen e programit të shpëtimit.
Zëdhënësja e komisionit, Mina Andrejeva, tha se drejtuesit po diskutonin me të gjitha palët në mënyrë që të sigurohej bashkëpunimi mes të gjithë vendeve të Bashkimit Europian.
Përveç Greqisë, edhe Spanja, Portugalia, por edhe Irlanda, i janë nënshtruar programeve të ngjashme për rimëkëmbjen financiare dhe uljen e borxhit publik në vitet e fundit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat