Banka Botërore jep 11 milionë dollarë për sektorin e arsimit

Lajme

Banka Botërore jep 11 milionë dollarë për sektorin e arsimit

Më: 2 mars 2015 Në ora: 17:32

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami është takuar sot me përfaqësues të Bankës Botërore në Kosovë, të prirë nga drejtori Jan Peter Olters.

Takimi u mbajt me rastin e vizitës së ekipit për edukim të Bankës Botërore, për diskutime teknike në kuadër të përgatitjes së projektit për përmirësimin e sistemit të arsimit në Kosovë, i cili përkrahet nga Banka Botërore.

Në një komunikatë për media nga MASHT, thuhet se ky projekt ka prioritet përkrahjen e implementimit të reformave në arsimin parauniversitar, duke adresuar autonominë financiare, ngritjen e cilësisë në shkolla, implementimin e sistemit të zhvillimit të karrierës për mësimdhënës dhe përmirësimin e sistemit të menaxhimit të të dhënave në arsim.

Me kërkesë të MASHT, Banka Botërore ka rritur financimin e këtij projekti në 11 milionë dollarë, nga 10, sa ishin planifikuar. Me kërkesë të ministrit Bajrami, 1 milion dollarë do të dedikohen për përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë.

Ministri Bajrami falënderoi Bankën Botërore për përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë arsimit kosovar dhe theksoi përkushtimin e Ministrisë në realizimin e këtij projekti të ri në mënyrë sa më efikase.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat