Gratë ndihmojnë gratë me një fidan të arrës

Lajme

Gratë ndihmojnë gratë me një fidan të arrës

Më: 1 mars 2015 Në ora: 21:47

Për nder të Ditës ndërkombëtare të gruas 8 Marsit, organizata Gratë për Gratë Internacionale (WfWI) - Kosova ka nisur një fushatë e cila do t'i ndihmojë gratë e margjinalizuara të Kosovës.

“Duke filluar më 1 mars, do të mblidhen fondet per të dhuruar një fidan për një grua e cila ka nevojë për një aktivitet fitimprurës. Donacionet do të grumbullohen deri mars 6, dhe fushata do të përfundojë në një ceremoni në Qendrën për Mundësitë e Grave në Prishtinë. Fidanët do të shpërndahen më pas gjatë muajit”, thuhet në një komunikatë të kësaj organizate të grave.

“Qëllimi është të dhurohen fidanë për 700 gra, të cilët kanë shprehur interes për kultivimin e arrave dhe kanë konfirmuar se kanë tokë të mjaftueshme për këtë. Çdo dhurues do të informohet se kujt i është dhuruar dhe ku gjendet dhurata e saj/tij. Ne duam të krijojmë një lidhje në mes të dhuruesve dhe të familjeve që marrin pemët. Një arrë do të prodhojë me dhjetëra vite, dhe mund të sjellë fitim prej qindra euro për trung çdo vit”.

Në komunikatë janë publikuar edhe numrat se ku mund të kontaktojnë për të dërguar mjetet e tyre të gjithë ata që janë të interesuar. Siç bëhet e ditur nga kjo organizatë personat e interesuar për të bërë një dhuratë për një grua të Kosovës, mund të telefonojnë ne numrin 045 266 267 ose 049 555 451 ku do të marrin numrin e xhirollogarisë ku mund të transferojnë 15 euro, dhe javën e ardhshme do të kontaktohen për t'u informuar në lidhje me emrin dhe adresën e gruas që do të marrë dhuratën.

Gratë për Gratë Internacionale filloi punën e saj në Kosovë në vitin 1999. Që atëherë organizata ka trajnuar më shumë se 31.000 gra të margjinalizuara nëpërmjet programit të saj 12-mujor. Organizata ka po ashtu Zyrën për punësim që ka ndihmuar mbi 400 gra të cilat kanë përfunduar programin të gjejnë punë prej vitit 2012. Poashtu ka edhe aktivitete shtese për të cilat mund të merren më shumë informata në faqen e FB: Women for Women International -Kosova.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat