​“Kroi i Mbretit” i rrethuar nga mbeturinat

Lajme

​“Kroi i Mbretit” i rrethuar nga mbeturinat

Më: 1 mars 2015 Në ora: 18:08

Nga ky burim shërbehen një numër mjaftë i madh i njerëzve. Konsiderohet si një ndër pasuritë më mëdha që ka Kosova.

Është ky “Kroi i Mbretit” që vazhdon të ketë ujë aq shumë si gjithmonë

Por tash e sa kohë, uji i tij po bie nëpër mbeturina të shumta përreth. Duket se për këtë pjesë nuk kujdesen as vet banorët, e aq më pak ata që vijnë nga vendet më të largëta për të marrë ujë. Këtë pjesë e kanë mbushur me shishe të plastikës e gjësende tjera. “Kroi i Mbretit” po duket si një lagje e braktisur që askush nuk e pastron asnjëherë. Kështu e vlerësojnë vet banorët.

Në emër të fshatit Korroticë e Epërme, flet kryetari i fshatit, Naim Dobërdolani, i cili pranon se banorët e këtij fshati asnjëherë nuk kanë marrë iniciativën për të pastruar këtë vend. Ai, fajin për këtë gjendje nuk e largon nga vetja dhe bashkëbanuesit tjerë. Por thotë se ata që hedhin më së shumti mbeturina, janë njerëzit që vijnë nga vendet tjera për të marrë ujë këtu.

“Vendet të cilat e përdorin këta ujë, jo që e mirëmbajnë por hedhin mbeturina të ndryshme të cilat janë të rrezikshme edhe për qytetarët edhe për vendin që jemi ne, edhe për ujin i cili përdoret në këtë vend”, thotë ai.

Dobërdolani thotë të jenë të shqetësuar për këtë gjendje. Sipas tij, ky vend ka nevojë për përkujdesje shumë të madhe. Siç thotë ai, ky ujë është nevojë për shumë vende të Kosovës, e jo vetëm për fshatin e tyre.

Kryetari i fshatit Korroticë e Epërme, thotë se që nga paslufta, ky vend nuk është pastruar asnjëherë.

“Unë nuk e mbaj mend që është bërë ndonjë pastrim ndonjëherë në këtë vend. Këtu prej luftës e këndej është po thuajse vend kaos i mbeturinave të cilat hudhën në këtë vend”, thotë ai.

Për këtë ai fajëson edhe veten dhe banorët.

Përveç pastrimit që duhet të bëhet, Dobërdolani mendon se duhet investuar edhe në renovimin e kronit. Sipas tij, ai duhet të kthehet në një gjendje shumë më të mirë.

“Ka pasuri ujore të lartë, unë kam bërë kërkesë në Ministrinë e Ambientit në Prishtinë, për një renovim të këtij kroni, por nuk kam gjetë mbështetje...kam menduar kroni me ardhë në gjendjen e mëparshme, ashtu siç ka qenë burimi e jo në këtë gjendje të mjerueshme,. Edhe pse, janë bërë dy tre herë investime prej komunës, por fatkeqësisht këtu më shumë janë prishë gjërat sesa janë rregulluar”, thotë ai

Vendi i njohur me emrin “Kroi i Mbretit” tash e sa kohë është i rrethuar me mbeturina. Sipas banorëve, vendi nuk është pastruar asnjëherë. Vetëm, disa investime janë bërë në gurët e kronit. E edhe ato tashmë vështirë që vërehen, pasi që edhe vendi aty ka nisë të dëmtohet. Kërkesa e banorëve të fshatit Korroticë e Epërme, është që të pastrohet vendi dhe të rinovohet kroni. Këtë burim, ata e vlerësojnë si shumë të rëndësishëm, andaj duan që të ketë një pamje tjetër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat