Në Greqi nis “lufta” ndaj të pasurve

Lajme

Në Greqi nis “lufta” ndaj të pasurve

Më: 28 shkurt 2015 Në ora: 17:39

Ministri grek i Financave, Janis Varufakis premtoi sot se do të ishte i pamëshirshëm kundër atyre që kanë mundësi të paguajnë duke mos përjashtuar vendosjen e një takse të jashtëzakonshme me qëllim për të garantuar një ekuilibër buxhetor.

“Ne jemi të angazhuar për të pasur buxhete të ekuilibruara. Nëse unë jam i detyruar për të vendosur një takse të jashtëzakonshme do ta bëj, por kjo do të jetë për ata që kanë mundësi të paguajnë (…), nuk do të kërkojmë para nga ata që nuk kanë mundësi”, deklaroi ministri gjatë një interviste për televizionin grek ”Skai”.

“Jemi të interesuar për ata që kanë para dhe nuk kanë paguar kurrë. Ata do të jenë shënjestra jonë dhe do të jemi të pamëshirshëm”, shtoi ai.

“Dëshiroj të gjej një zgjidhje për të bërë të paguajnë ata që kanë para”, nënvizoi ai.

Ministri u kërkoi gjithashtu partnerëve evropianë të ndihmojnë Greqinë duke reaguar kundër kompanive të tyre që i shpëtojnë taksave dhe jo vetëm për të na dhënë mësime.

Kryeministri grek, Aleksis Cipras njoftoi dje në mbrëmje një sërë masash për të luftuar kundër evazionit fiskal dhe për rritjen e të ardhurave shtetërore duke u kërkuar tatimpaguesve të paguajnë një pjesë të borxheve të tyre.

”Jemi angazhuar se do të kemi buxhete të balancuara. Ç’do të thotë kjo? Do të thotë se duam të rifitojmë pavarësinë e vendit dhe sovranitetin popullor brenda mureve tona, duke garantuar se kurrë më nuk do të kemi deficite primare”, theksoi Varufaqis.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat