Rusi, ekzekutohet udhëheqësi i opozitës

Lajme

Rusi, ekzekutohet udhëheqësi i opozitës

Më: 27 shkurt 2015 Në ora: 23:57

Agjencia e lajmeve ruse, “Interfax” shkruan se Nemtsov është qëlluar në shpinë me katër plumba në qendër të Moskës, pranë Kremlinit. Ekzekutimi i tij ndodhi pak orë pas thirrjeve për protesta kundër luftës në Ukrainë. Në një intervistë të kohëve të fundit, ai kishte shprehur hapur kundërshtitë e tij ndaj luftës në Ukrainë, por në anën tjetër ndjehej i frikësuar nga një eleminim i mundshëm.

Thorbjorn Jagland, sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, dënoi vrasjen, duke shkruar në “Twitter”: Jam thellësisht i tronditur për vrasjen e udhëheqësit kryesorë të opozitës. Autorët duhet të dalin para drejtësisë.

Bëhet e ditur se politikani ishte duke lëvizur në këmbë, bashkë me një femër, në momentin kur është qëlluar nga persona të paidentifikuar.

Nemtsov, 55 vjeç, shërbeu si zëvendëskryeministër në kohën e presidentit të ndjerë, Boris Jelcin, në vitet '90. Ai u shqua si një reformator ekonomik, ndërsa shërbeu për një periudhë edhe si guvernatori i qytetit Nizhny Novgorod.

Pas ardhjes në pushtet të Vladimir Putin, ai u bë njëri prej politikanëve kryesorë të opozitës në Rusi.

Agjencia e lajmeve Tass, citon presidentin rus, Vladimir Putin të ketë thënë se vdekja e Nemtsovit duket si një vrasje me pagesë dhe mund të jetë një “provokim”.

Shumë vëzhgues rusë e kishin konsideruar dikur Nemtsovin si një kandidat për presidencën ruse. Ai në vend të kësaj shërbeu si zëvendëskryeministër dhe u bë një nga kritikët më të zëshëm të presidentit Putin, veçanërisht që prej kryengritjes së vitit të kaluar në Ukrainë.

Në muajin shtator, Nemtsovi i tha korrespondentit të Zërit të Amerikës, Daniel Schearf se Putini dëshiron të hakmerret për rrëzimin e presidentit pro rus të Ukrainës.

Ai tha se Putini druan se ajo çfarë ka ndodhur në Ukrainë, mund të ndodhë edhe në Rusi dhe e sheh Ukrainën pro evropiane si një kërcënim për pushtetin e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat