LDK e Deçanit reagon pas fyerjes nga Asamblisti i AAK-së

Lajme

LDK e Deçanit reagon pas fyerjes nga Asamblisti i AAK-së

Më: 27 shkurt 2015 Në ora: 21:24

Grupi i LDK-së në Asamblenë Komunale të Deçanit e lëshoj mbledhjen pas ofendimeve të papritura nga Asamblisti i AAK-së, Mehmet Osaj, me fjalë të zhargonit primitiv duke na quajtur "ju jeni gjo të gjalla".

Ky ofendim i tij erdhi gjatë kohës kur mbahej, Mbledhja e II-të e rregullt e Kuvendit Komunal të Deçanit kishte 7 pika të rendit të ditës, e ku temë bosht ishin, edhe Shqyrtimi dhe Aprovimi i Strategjisë Komunale për Informim dhe komunikim, Marrja e Vendimit për orientimin e të hyrave të bartura të vitit 2014 dhe Marrja e Vendimit për dhënie të pronës komunale në shfrytëzim afatgjatë.

Fillimisht, grupi i Asamblistëve të LDK-së parashtron disa pyetje për ekzekutivin komunal, duke ngritur shqetësime të ndryshme si: Pse në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, (me 17 shkurt) edhe pse festë zyrtare në kalendarin e festave tona shtetërore, nuk është vendosur asnjë flamur i shtetit të Kosovës, në qytetin e Deçanit. Pse Rastavica nuk ka ujë të pijes dhe a do të shpallet projekti i ujësjellësit për 10 fshatra, projekt i dështuar? Po ashtu, është kërkuar edhe një raport i shkruar për uzurpimet arbitrare të pronave komunale, duke i zgjeruar lokalet private, sikurse që këtij raporti ti bashkëngjitet edhe raporti financiar për obligimet tatimore të bizneseve komunale (borxhet ndaj komunës).

Pas diskutimit dhe plotësimit të dokumentit të “Strategjinë Komunale për Informim dhe komunikim”, e që është miratuar nga të gjithë anëtarët e Kuvendit, ndërsa çështje e “Orientimi e të hyrave të bartura të vitit 2014, në vitin 2015-të”, e që kishte diskutime të gjata, ku pozita synonte që ato mjete ti destinoj për shlyerjen e borxheve të mbetura nga 2014-ta, ndërsa opozita kishte synim që ti orientonte në investime kapitale, (fusha të ndryshme të sportit dhe rinisë, bursa për studentë, etj), është shtyrë për Seancën tjetër për harmonizim dhe ndarje të specifikuar të këtyre mjeteve.

Mirëpo, gjatë seancës, kur diskutohej për kërkesën e ekzekutivit komunal, “Marrjen e Vendimit për dhënie të pronës komunale në shfrytëzim afatgjatë (99 vite)”, zgjoj interesim të madh dhe kishte diskutime mjaftë serioze, ku GP i LDK-së kërkoi sqarime shtesë nga ekzekutivi që të sjellë një pasqyrim real, duke u bazuar në Planin rregullues dhe projektet e harmonizuara me Planin Zhvillimor Urban, duke kushtëzuar edhe me pëlqimin e banorëve, qoftë edhe me nënshkrimet e tyre. Kur GP i LDK-së, kishte kërkuar që të sjellët edhe projekti (së paku ideor) se çka do të ndërtohet në këto ngastra të cilat do të jepen në shfrytëzim, ka ardhur momenti, kur asamblisti i AAK-së, Mehmet Osaj, pasi e kishte "mizën nën kapuç", kishte filluar me reagime dhe duke ofenduar grupin parlamentar të LDK-së, duke iu drejtuar me fjalët, "ju jeni gjo të gjalla", gjë që ishte jashtë çdo gjuhe të demokracisë dhe kolegialitetit. Pra, pas kësaj fyerje publike të këtij këshilltari të AAK-së, grupi i LDK-së ka lëshuar mbledhjen, për ta vazhduar me 06.03.2015 (e premte), pas konsultimit me kryesuesin e Kuvendit, ku paraprakisht asamblisti në fjalë, duhet të tërheqë fjalët fyese dhe të kërkoj falje publike./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat