Vetëvendosje, Stavilecit: Gjuha jote u përdor nga Millosheviqi

Lajme

Vetëvendosje, Stavilecit: Gjuha jote u përdor nga Millosheviqi

Më: 27 shkurt 2015 Në ora: 17:47

Lëvizja Vetëvendosje është shprehur e shqetësuar për gjuhën e përdorur së fundi nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci. Ajo e ka cilësuar atë gjuhë përbuzëse për popullsinë e varfëruar të Kosovës, e veçanërisht për gratë.

“Ky ministër në vend se të shpjegojë arsyet e mjerimit dhe të moszhvillimit ekonomik në Kosovë, që vijnë si pasojë e konceptit keq-qeverisës të pushtetit ku ai është pjesë, e hedh fajin për këtë varfëri tek masat e gjera që në Kosovë i përkasin shtresës së varfër të shoqërisë”, thuhet në komunikatën e LVV-së.

“Me 300 euro rrogë mos i bëni shtatë fëmijë”, tha ministri i zhvillimit ekonomik Blerand Stavileci, që sipas LVV-së, shpërfaq gjithë ideologjinë e biopushtetit, e cila pasi i ka zhveshur shumicën e shqiptarëve të Kosovës prej shumë të drejtave qytetare, politike e ekonomike, tashmë po synon t’i zhveshë ata edhe prej kontrollit mbi jetët e tyre, mbi familjet e tyre, mbi të vetmen pronë që u ka mbetur, e që është trupi i tyre biologjik.

“Gjuha e tillë nuk i përket vetëm këtij ministri. Jemi dëshmitarë të deklaratave të ndryshme nga shumë zyrtarë të qeverisë, të cilët barazinë gjinore dhe të drejtat e grave i shndërrojnë në riprodhim të kushtëzuar, në fajësi mbi vdekshmërinë foshnjore, apo si në këtë rast, si fajësi për varfërinë e përgjithshme. Kjo gjuhë është përdorur edhe më parë nga aparati racist i Millosheviqit, që i akuzonte nënat shqiptare si ‘gra te egra’ të cilat dinë vetëm të ‘bëjnë fëmijë’”.

Vetëvendosje thotë se kjo gjuhë e përdorur nga pushtetarët synon që ta shpjegojë mërgimin masiv, arratisjen e popullit të Kosovës prej kushteve të mjerueshme ekonomike e shoqërore, përmes fajit biologjik të këtij populli. “Sugjerimi i ministrit nuk ka të bëjë me planifikimin familjar, por me dëshirën për të shfajësuar qeverinë, e cila është fajtori i vërtetë për kushtet e pajetueshme të ndërtuara në Kosovë. Nuk do të mund të ketë kurrë barazi, as ekonomike, as qytetare e as gjinore, me një qeveri që ka mendësi të tillë, pushteti i së cilës rrjedh edhe riprodhohet prej pabarazisë”, shprehet LVV.

“Gruaja në Kosovë vazhdon të mbetet shtylla kryesore e shoqërisë, jo për shkak të pjesëmarrjes së saj simbolike në strukturat e pushtetit, por për shkak të pozitës së saj në shtresat e mesme dhe të ulëta të shoqërisë. Përderisa pabarazia rëndon mbi supet e saj, ajo kryen dy të tretat e punës në këtë shoqëri, pasi detyrohet të punojë si në profesion ashtu edhe në shtëpi. Gruaja nuk është fajtore për moszhvillimin dhe për varfërinë në Kosovë, ajo është viktimë e këtij moszhvillimi, i cili është rrjedhojë direkte e hajnisë dhe e injorancës e prapambeturish, që fatkeqësisht ka uzurpuar poltronat e ministrive në Kosovë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat