Ferdie Zhushi Etemi raportoi në Komisionin për Arsim

Lajme

Ferdie Zhushi Etemi raportoi në Komisionin për Arsim

Më: 27 shkurt 2015 Në ora: 16:04

Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Cilësisë në Agjencinë e Akreditimit, Ferdie Zhushi Etemi, tha se akuzat e fundit për korrupsion kanë ndikuar në reputacionin e Agjencisë.

Megjithatë, ajo tha se shantazhet nuk do t’i ndryshojnë vendimet e akreditimit, duke theksuar se Agjencia është akuzuar nga institucionet të cilat nuk janë akredituar. Kryetarja Zhushi raportoi sot para Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës, lidhur me procesin e Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë.

Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Cilësisë në Agjencinë e Akreditimit, Ferdie Zhushi Etemi, gjatë raportimit të saj në Komisionin për Arsim të Kuvendit të Kosovës, iu përgjigj pyetjeve të anëtarëve për procesin e akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë në vend. Ndërsa, lidhur me akuzat e fundit për korrupsion, ajo tha se është e gatshme të ballafaqohet me të gjitha faktet, duke theksuar se shantazhet nuk do t’i ndryshojnë vendimet e akreditimit.
“Agjencia është akuzuar pikërisht nga institucionet të cilat nuk janë akredituar dhe të cilat nuk kanë mundur ta korruptojnë Agjencinë dhe t’i ndërrojnë vendimet. Ne jemi në një proces hetimor, të cilin shpresojmë se do të jetë i drejtë dhe jemi të gatshëm të ballafaqohemi me të gjitha faktet. Por, shantazhet nuk do t’i ndryshojnë vendimet e akreditimit. A ka ndikuar kjo në reputacionin e Agjencisë, them se po”, tha ajo.
Gjatë diskutimeve në komision, u tha se arsimi i lartë në vend ka shumë probleme, e të cilat kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë, ndërsa, cilësia nuk u vlerësua e kënaqshme. Kryetari i Komisionit për Arsim, Nait Hasani, tha se puna e institucioneve të arsimit të lartë nuk është vlerësuar me nota pozitive.
“Organizata të ndryshme joqeveritare kanë vlerësuar negativisht punën e universiteteve publike, por edhe punën e kolegjeve private”, tha ai.
Nënkryetari i Komisionit, Sali Morina, tha se cilësia në kolegjet private lë shumë për të dëshiruar. Edhe anëtarë të tjerë të komisionit paraqitën probleme të ndryshme që kanë të bëjnë me institucionet e arsimit të lartë. Por, kryetarja e Këshillit Kombëtar të Cilësisë, Ferdie Zhushi, tha se Agjencia ka për detyrë të trajtoj aplikacionet nga institucionet e arsimit, ndërsa politikat për arsim i bën Ministria e Arsimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat