Shqiptarët e boshnjakët, pro shkarkimit të Nikolliqit

Lajme

Shqiptarët e boshnjakët, pro shkarkimit të Nikolliqit

Më: 26 shkurt 2015 Në ora: 19:19

Deputetët Shqiptarë në Parlamentin qendror, në kuadër të grupit parlamentarë SDA-PVD, pas paraqitjes së Propozim-Rezolutës për zgjidhjen e statusit të pakicave nacionale në Republikën e Serbisë, iu bashkëngjitën grupeve tjera parlamentare opozitare për inicimin e procedurave për shkarkimin e kryetarit të Republikës së Serbisë, Tomisllav Nikolliq, për shkak të deklaratave të tij publike me të cilat kishte ushtruar presion mbi Prokurorinë Speciale e cila kishte paralajmëruar aktakuzën për procesimin e krimeve të luftës të kryera në Kosovë nga njësi të caktuara të ushtrisë serbe të paraqitura në raportin e Fondit Humanitar.

Në arsyetimin e kësaj rezolute, deputetët nga Sanxhaku dhe Lugina e Preshevës i shtuan edhe momentet specifike për krimet e kryera në këto rajone ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve, të cilat ende nuk janë zbardhur dhe kriminelët ende nuk kanë marrë dënimet përkatëse.

Gjithashtu, deputetët Sulejman Uglanin, anëtar, dhe Shaip Kamberi, zëvendës-anëtar i Këshillit për të Drejtat e Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, në bazë të vendimit të grupit parlamentarë SDA-PVD janë tërhequr nga ky Këshill për shkak të pakënaqësisë nga rezultatet e dobëta të deritanishme dhe për shkak të mungesës së gatishmërisë për përpilimin e strategjisë me të cilën do të rregullohej statusi adekuat i pakicave nacionale.

Në kuadër të diskutimit lidhur me miratimin e marrëveshjes për hapjen e kalimeve të reja kufitare me Rumaninë, deputeti Riza Halimi përkujtoi ministrin e punëve të brendshme me obligimin që e ka Qeveria serbe për hapjen e kalimeve kufitare me Maqedoninë, në bazë të vendimit të Qeverisë federative të vitit 2005. Posaçërisht, me këtë rast u elaborua domosdoshmëria që sa më shpejtë të hapet kalimi kufitar në relacionin Miratoc-Llojan, që do të përmirësonte dukshëm qarkullimin e lirë të qytetarëve në Luginë të Preshevës./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat