AKP në bllokadë, këtë muaj mbetët pa asnjë anëtar të Bordit

Lajme

AKP në bllokadë, këtë muaj mbetët pa asnjë anëtar të Bordit

Më: 1 shkurt 2015 Në ora: 23:31

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), nga 20 shkurti i këtij muaji do të mbetët pa asnjë anëtar të Bordit.

Kjo agjenci momentalisht ka vetëm tre anëtarë të Bordit, mandati i së cilëve skadon brenda tre javësh.

Tre anëtarët e vetëm të Bordit janë Skender Komoni, Haxhi Arifi dhe Maja Milanovič, të cilët kohën e fundit nuk kanë mundur të marrin asnjë vendim në mungesë të kuorumit.

Zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi ka njoftuar për Tribuna, se AKP nga 20 shkurti i këtij muaji do të mbetët pa ansjë anëtar të Bordit. Ai ka thënë se AKP me kohë ka njoftuar institucionet vendimmarrëse për kompletimin e Bordit.

Kaloshi shpreson se në afatin sa më të shpejtë të mundshëm do të bëhen emërimet e drejtorëve të Bordin në mënyrë që të kompletohet Bordi dhe të ushtroj mandatin e plotë ligjor.

“AKP nuk ka ndonjë kompetencë në inicimin e procedurave, apo emërimin e anëtarëve të Bordit. Sipas Ligji të AKP-së, Kuvendi i Kosovës emëron drejtorët në Bordin e AKP-së. Në Nenin 12 të këtij Ligji, paragrafi 2, 2 thuhet: “Kuvendi i Kosovës emëron pesë (5) Drejtorë, duke përfshirë një përfaqësues nga një komunitet jo-Shqiptar si dhe përfaqësuesin e sindikatave të punëtorëve, dhe të caktojë njërin nga të emëruarit që të shërbejë si Kryesues i Bordit. Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar emëron tre ndërkombëtarë si Drejtorë të Bordit”, ka thënë Kaloshi.

Në mungesë të Bordit, puna në AKP është bllokuar pothuajse tërësisht.

Kaloshi ka njoftuar se Bordi i Drejtorëve i AKP-së ka kompetenca të shumta, ka përgjegjësi të përgjithshme për aktivitetet e Agjencisë.

“Bordi vendos për shpalljet e reja të valëve të shitjes, për shpërndarjen e mjeteve nga pjesa 20 % për punëtorët e NSh-ve, për shpërndarjen e mjeteve nga procesi i likuidimit të NSh-ve, pastaj për bartjen e mjeteve tepricë në buxhetin e Kosovës e shumë vendime tjera të përcaktuara me Ligj që janë në kompetencë të Bordit”, ka thënë Kaloshi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat