Kroacia u fal borxhet të varfërve

Lajme

Kroacia u fal borxhet të varfërve

Më: 1 shkurt 2015 Në ora: 21:13

Mijëra kroatë do të shohin që emrat e tyre do të fshihen nga lista e borxheve, të hënën, si pjesë e një përpjekje të qeverisë për të nxitur ekonominë duke ndihmuar qytetarët që të rifitojnë aksesin tek objektet themelore, përfshirë edhe llogaritë bankare. Skema, e quajtur “fresh start” -fillim i ri, do të bëjë të mundur që rreth 60 mijë qytetarëve t’u fshihen borxhet nga bankat, telekomi apo operatorët e tjerë të shërbimeve, si pjesë e një marrëveshjeje të këtyre operatorëve me qeverinë. Rreth 2.1 miliardë kuna, apo 20 milion paund do të fshihen nga kreditorët, të cilët kanë firmosur skemën. Asnjëri prej tyre nuk do të rimbursohet për humbjet. Familjet që përfitojnë nga skema duhet të kenë borxhe nën 3.5 mijë paund dhe të ardhurat e tyre mujore nuk duhet të jenë më shumë se 1.250 kuna. Kroatët që kanë prona apo kursime, nuk do të përfitojnë nga marrëveshja. “Mendohet se kjo masë do të aplikohet tek rreth 60 mijë qytetarë”, u shpreh për mediat zëvendëskryeministri kroat, Milanka Opacic, duke shtuar se “atyre po u jepet një shans për një fillim të ri, pa barrën e borxhit”.
Mendohet se programi do të çlirojë edhe llogaritë e 317 mijë kroatëve, të cilat u ngrinë në Korrik, si pasojë e kredive të këqija. Kjo është hera e parë që aplikohet një program i tillë. “Kjo është hera e parë që një qeveri provon të zgjidhë këtë problem të vështirë dhe ne jemi shumë krenarë”, u shpreh kryeministri kroat Zoran Milanovic.
Marrëveshja mund të tërheqë edhe vëmendjen e grekëve, ku qeveria e Syriza -s po përpiqet të rinegociojë kushtet e borxhit prej disa miliardë eurosh. Aksionet bankare ranë ndjeshëm javën e kaluar në Athinë, për shkak të shqetësimeve se koalicioni i Syriza -s do të marrë kontrollin e huave dhe do të fshijë disa kredi të marra nga qytetarët për të blerë shtëpi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat