VV: Nuk i pranojmë shantazhet e KEDS-it

Lajme

VV: Nuk i pranojmë shantazhet e KEDS-it

Më: 1 shkurt 2015 Në ora: 20:09

Me 30 janar të këtij muaji u mbajt mbledhja e Kuvendit komunal të Gjakovës. Në rend dite ishin për diskutim shumë çështje prandaj dhe mbledhja zgjati për më shumë se 7 orë. Në pikën e fundit, përkatësisht në pikën e 8 të rendit të ditës fillimisht u diskutua për revokimin e vendimit të Asamblesë Komunale për heqjen e orëmatësve të KEDS-it i marrë më 30 shtator të vitit të kaluar.

Vendimi për heqjen e orëmatësve të KEDS-it, i marrë me datën 30 shtator, ka ardhur si propozim i Masar Llukës nga AKR me arsyetimin që këto orë paraqesin rrezik për qytetarët dhe po e shëmtojnë qytetin. Ne si subjekt votuam pro këtij vendimi dhe pas një diskutimi të shkurtër, ky vendim kaloi me shumicë absolute të votave, 34 për dhe vetëm 1 kundër.

Në mbledhjen e fundit, pra të premten, nga po të njëjtit propozues vjen propozimi i ri, që vendimi i mëhershëm të tërhiqet dhe orëmatësit e KEDS-it të lejohen të vendosen. Ky propozim nuk u mbështet as me materiale paraprake, e nuk kishte as argumente nga propozuesit. KEDS e ka për obligim që të investojë në përmirësimin e rrjetit të energjisë ne komunën tonë dhe nuk guxon t’i shantazhojë Komunën dhe qytetarët lidhur me këtë. Investimet në rrjet të energjisë dhe vendosja e orëmatësve nuk janë çështje të ndërvarura. Në mungesë të argumenteve bindëse dhe duke parë presionin e Kryetares për t’i bërë lëshime KEDS, ne si subjekt lëshuam sallën e asamblesë duke e pamundësuar kalimin e këtij propozimi.

Kompania KEDS për çdo ditë po ua vështirëson jetën qytetarëve. Çmimit të lartë të energjisë nuk mund t’i shtohen edhe shantazhet e tilla prandaj ne si subjekt nuk do të nënshtrohemi para këtyre kërcënimeve të kësaj firme dhe kështu duhet të veprojë edhe qeverisja lokale.

Kjo rrjedhojë e mbledhjes së fundit të asamblesë u keqpërdor nga Kryetarja Kusari – Lila e cila në letrën publike të shkruar dje dezinformoi qëllimshëm qytetarët. E kemi për obligim të qartësojmë që çështja e KEDS-it nuk ka asnjë lidhje më çështjen Jabllanoviq. Ne si subjekt kemi qenë gjatë gjithë kohës në mbështetje të iniciativës qytetare për Kallëzim Penal ndaj Jabllanoviqit.

Është shumë e ulët që kryetarja tenton ta manipulojë opinionin duke thënë se kinse LVV-ja qenka kundër kësaj iniciative. Për dallim nga kryetarja e cila duke njohur angazhimin tonë në vazhdimësi ndaj çështjes së të pagjeturve, që nga fillimi i protestave tona akuzon për përfitime partiake, duke ndikuar kështu edhe te disa nga nënat e të pagjeturve për tu tërhequr nga protestat, duke mos e kërkuar publikisht shkarkimin e Jabllanoviqit dhe duke mos marrë pjesë në protesta, konfirmojmë kërkesën tonë për shkarkimin e Jabllanoviqit dhe vazhdimin e protestave.

Ftojmë Kryetaren Kusari – Lila që qysh nesër, e hënë me 3 janar, të thërrasë mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal me të vetmen pikë, konfirmimin e mbështetjes së asambleistëve për Kallëzimin Penal ndaj Jabllanoviqit. Nëse kryetarja nuk e bënë këtë atëherë na mbetet neve që me anë të mbledhjes së nënshkrimeve të asambleistëve ta bëjmë këtë gjë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat